Kuvendi votoi Projektligjin për Paga në Sektorin Publik
Muharrem Miftari/ RTKlive
(E plotësuar 19:00) Me shumicë votash, me 68 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim, u miratua në parim “Projektligji për Paga në Sektorin Publik”.
Pas shumë debatesh në mes të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga radhët e atyre në pushtet, por dhe nga ata të opozitës, që kishin të bënin me vërejtjet dhe sugjerimet mbi ligjin në fjalë, u miratua “Projektligji për Paga në Sektorin Publik”.
Projektligji në fjalë u votua në lexim të parë, me mundësinë në plotësim-ndryshimin e tij në procedim të mëtejshëm.
(E plotësuar) Lushtaku: Sistemi i pagave është dashur të rregullohet më herët
Vazhdon seanca e Kuvendit ku po shqyrtohet "Projektligji për paga".
Vazhdon seanca e Kuvendit në të cilën po shqyrtohet "Ligji për paga", ku, lidhur me këtë çështje, diskutoi deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, i cili tha se "Ligjin për paga" mbështesim që në lexim të parë, pro me qëllimin që të përmirësohet në vazhdim, në leximin dytë.
Deputeti Lushtaku, më tej, foli për koeficientin dhe kategorizimin e pagave në bazë të funksioneve në institucionet shtetërore, derisa theksoi se është dëmtuar rëndë kategorinë e nëpunësve publikë.
“Duhet punë më serioze prandaj ne, si PDK kemi vendosur që në lexim të parë të mbështesim e pastaj të shikojmë më tutje”, tha mes tjerash, deputeti Lushtaku.
Ndërkaq deputeti nga radhët e LDK-së, Agim Veliu, mes tjerash, kritikoi "Ligjin pë paga", më konkretisht në shkallëzimin e përvojës së punës, pastaj për koeficientin e pagës, etj.
Ai më tej vuri theksin edhe në shkallëzimin e pagave sipas komunave, duke krijuar, sikundër tha ai, një dallim të theksuar mes komunave.
“Për këto arsye kërkoj që ky ligj të plotësohet”, shtoi deputeti Veliu.
E deputeti Besnik Tahiri nga radhët e AAK-së, kritikoi vonesën e prurjes në Kuvend të këtij ligji, siç tha ai, pas dy vjetëve.
“Zyrtarët publikë janë mashtruar, tash e 22 muaj, duke qenë të privuar nga trajtimi dinjitoz i tyre përgjatë kësaj kohe”, deklaroi Tahiri.
Ai, më tej, theksoi se mbështet këtë ligj, por me përmirësim të ligjit dhe propozoi që "Ligji për paga" të ketë vlerën e koeficientit 130 euro, teksa kritikoi zëvendëskryeministrin, për, siç tha ai, për deklarimin e tij për rritjen ekonomike me 20 për qind, ndërkohë që FMN ka deklaruar se rritja ekonomike është me 4 për qind.
(E plotësuar) Votohet Projektligji për Zyrtarët Publikë
Valmira Saraçi Sahatçiu dhe Afet Bela/ RTKlive
Pas një debati të gjatë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë. 61 ligjvënës kishin votë për këtë Projektligj ndërsa veç një abstenoi. Ndërkohë, në shqyrtim ka dalë Projektligji për Pagat në sektorin publikë.
PDK kërkon nga pushteti ta tërheqë Projektligjin për zyrtarët publikë
Po vazhdon në Kuvendin e Kosovës debati rreth Projektligjit për zyrtarët publikë.
Shefi deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri i ka bërë thirrje ministrit të Punëve të Brendshme që ta tërheqë Projektligjin, ta ri-draftojnë e pastaj ta sjellin në Kuvend për votim.
Sipas tij, në formën siç ka ardhur ky Projektligj e cenon rëndë pavarësinë e administratës.
“Unë besoj që duhet të tërhiqeni nga i njëjti, duhet t’i merrni për bazë vërejtjet e zyrës së BE-së në Kosovë. Nuk është ligj që duam të kemi përplasje politike me ju këtu, ka beteja mjaft që mundemi t’i zhvillojmë. Kur jemi te administrata shtetërore duhet të kemi koordinim pozitë e opozitë”, tha ai.
Sipas tij, nëse ky Projektligj kalon atëherë shkon në kushtetuese.
“Mendoj që as juve, as neve nuk na konvenon që ta kemi edhe një proces që ta dërgojmë në kushtetuese, për faktin që nuk janë trajtuar edhe çështjet që i ka ngritur kushtetuesja. As juve nuk iu konvenon të humbisni kohë, as ne nuk jemi të interesuar të zhvillojmë betejë politike, por jemi të interesuar të zhvillojmë administratën shtetërore. Ky është një parametër që edhe Bashkimi Evropian na matë. Votimi i tij, shënon regres e jo progres. Nëse ky ligj kalon në lexim të dytë ne do të kemi vërejtje në raportin për vendin”, tha Tahiri i PDK-së.
Opozita kundërshton Projektligjin për zyrtarë publikë|Video
(E plotësuar, 14:55) Me qëndrime për e kundër është përcjellë debati fillestar për Projektligjin për zyrtarët publikë i sponsorizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. 
Mimoza Kusari Lila, shefe e deputetëve të Vetëvendosjes tha se Projektligji për zyrtarët publikë është boshti i strukturës së administratës publike përmes së cilit synohet ngritja e efikasitetit të administratës në shërbim të qytetarëve dhe modernizimi i ofrimit të shërbimeve dhe forcimi i funksionimit të shtetit.
“Parimet bazë që janë propozuar në këtë Projektligj për pranimin në punë si zyrtar publikë, si parimi i barabarësisë, meritokracisë e transparencës do të jetësohen përmes konkurseve të hapura dhe dhënies së mundësive të barabarta të gjithë konkurrentëve nga brenda e jashtë Kosovës”, tha ajo.
Por, ky Projektligj është kundërshtuar nga partia më e madhe opozitare, PDK-ja.
Mërgim Lushtaku tha se i njëjti do të duhej të sillej shumë më herët, por këto vonesa sipas tij po tregojnë pse kanë ndodhur e që është politizimi.
“Shqetësime të mëdha, reagime të mëdha, kritika që ka nxitur në çdo pjesë të shoqërisë, sidomos në administratën publike për të politizuar e legjitimuar politizimin e administratës publike janë shumë shqetësuese”, tha ai.
Lushtaku ka paralajmëruar se nëse kalon ky Projektligj do të ndërmarrin të gjithë hapat, meqë konsiderojnë se i njëjti përbën shkelje kushtetuese.
“PDK-ja e kundërshton këtë Projektligj. Ne shprehim shqetësimet tona dhe sigurisht do të kundërshtojmë që ky Projektligj të kalojë në këtë seancë e nëse kalon sigurisht që do t’i ndërmarrim të gjithë hapat sepse me të vërtetë e argumentojmë që ka shkelje të mëdha kushtetuese e ligjore”.
Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Brendshme, deputeti i LDK-së Agim Veliu tha se ky Projektligj përbën përpjekje serioze të qeverisë për të degraduar administratën shtetërore e komunale e me theks të posaçëm shërbimin civil.
“Shumë dispozita të propozuara në këtë Projektligj janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës sepse cenojnë rëndë të drejtën e punësimit, si një prej të drejtave themelore të të drejtave të njeriut. Këtë ligj e bënë antikushtetues edhe përpjekja për të përvetësuar kompetencën e komunave për të rekrutuar stafin e tyre, me ligjin aktual kjo çështje është rregulluar në këtë mënyrë”, tha ai.
I ashpër ka qenë edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri. Tha se Projektligji për zyrtarët publik është më i dëmshmi që ndonjëherë i ka ardhur për diskutim Kuvendit.
“1600 drejtues të lartë të administratës publike me këtë ligj janë të rrezikuar, respektivisht karriera e tyre varet nga partia e tyre, pra janë ministrat, partitë që do të vendosin jo më në një proces mirë të standardizuar të rekrutimit, por me vendimmarrje puro politike. Sot në qeveri është LVV-ja, nesër mund të vijë një koalicion tjetër qeverisës, prej pozitave që janë ë emëruara politike po i bëjmë edhe 1600 pozita”, tha ai prandaj sipas tij nëse kalon, i njëjti nuk do të ndryshohet më sepse secilës parti i konvenon të rehatojë njerëzit e tyre politik në pozita të larta.
“Ky nuk është ligj për zyrtarët publik, është ligj i kapjes së administratës shtetërore që do ta goditë në thelb funksionimin meritokratik të ngritjes në karrierë”.
Tahiri ka kërkuar nga ministri e deputetët që këtë ligj të mos e votojnë.
Sveçla: Projektligji për zyrtarët publikë, kërkesë e kohës
(E plotësuar 14:05) Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, derisa ka prezantuar Projektligjin për zyrtarët publikë tha se kjo pikë e rendit të ditës është pika kyçe për reformën në administratën publike dhe adresimin e nevojave të shoqërisë për t’u përshtatur me kërkesat kohës. 
“Nuk jemi në fazën kur është e paqartë se cilat janë problemet me të cilat përballet administrata jonë, ngecjet apo mungesat që reflektojnë edhe në shërbimet që bizneset e qytetarët marrin. Ato janë të njohura për secilin prej nesh, të evidentuara në Raportet e Progresit e në raporte të organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare”, tha ministri Sveçla.
Ai ka numëruar problemet, që sipas tij, e kanë përcjellë administratën deri tash.
“Administratë e mbyllur e pamundësi për gjithëpërfshirje, ndërhyrje politike e nepotizëm në procesin e rekrutimit, mungesë e efikasitetit dhe kapaciteteve të limituara profesionale, etj”, ka thënë sponsorizuesi i këtij Projektligji.
Sipas tij, mbi bazën e këtij realiteti, që e quajti shqetësues, bëhet e qartë se fokusi i kësaj qeverie me të drejtë është reformimi i administratë dhe minimizimi i ndërhyrjeve në procesin e rekrutimit.
Ai tha se ky Projektligj është rezultat i kërkesave të kohës, derisa u ka kërkuar ligjvënësve mbështetje.
“Kërkoj nga ju të mbështetni këtë Projektligj, këtë reformë, e të bëheni pjesë e garantimit të mundësive të barabarta për të gjithë”, përfundoi Sveçla.
Kuvendi fillon shqyrtimin e parë të Projektligjit për zyrtarët publik
(E plotësuar, ora 13:30) Kuvendi i Kosovës sot në seancën plenare, ka filluar shqyrtimin e Projektligjit për Zyrtarët Publik.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, para deputetëve ka prezantuar projektligjit për zyrtarët publik.
Debati në Kuvend fillon me zhvillimet në veri të vendit
Kuvendi i Kosovës, ka filluar punimet me deklarimet jashtë rendit të ditës. Deputetët kanë filluar deklarimet me zhvillimet e fundit në veriun e vendit..
Abrashi: Sulmet në veri kanë elementet terroriste
Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, ka folur rreth zhvillimeve të fundit veri. “Në kohën kur po bëhen përgatitjet që për katër komunat e veriut të organizohen zgjedhjet demokratike për kryetar komunash, institucionet e Kosovës janë përballur me sulme të vazhdueshme”, tha ai. 
Abrashi ka përmendur edhe lëndimin e policit të Kosovës në veri. Sipas tij në veri ka dirigjim nga Beogradi dhe bandat duan që të ketë anarki në atë pjesë të Republikës së Kosovës. “Bandave kriminale po u ngushtohen rrethet, prandaj sulmet janë shtuar ndaj institucioneve të Kosovës”, theksoi ai. Abrashi tha se sulmet në veri kanë elementet terroriste.
Tahiri: Bandat kriminale origjinën e kanë në Serbi
Në emër të PDK-së, deputeti Abelard Tahiri, njëherit shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës që ndodhi mbrëmë. 
“Tash kemi pasur një angazhim të forcave të rendit në mënyrë që të sigurohet një ambient i sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe për atë që garojnë për zgjedhje, por edhe për të tjerët”, tha ai. Sipas tij bandat kriminale origjinën e kanë në Serbi.
Tahiri ka kërkuar nga qeveria, të mos merr hapa sporadik dhe duhet të ketë një strategji për atë zonën. “Përderisa sulmohet policia dhe shteti ne nuk duhet të marrim hapa sporadik, duhet të kemi strategji për largimin e këtyre bandave në veri të Republikës së Kosovës. Si grup i PDK-së, jemi të shqetësuar për atë pjesë”, theksoi.
Berisha: Çdo tensionim i situatës ka qëllim rikthimin e ''rezolutës 1244''
Edhe në emër të AAK-së, deputeti Bekë Berisha, tha se çdo tensionim i situatës në veri, ka qëllim rikthimin e ''rezolutës 1244''. Ai ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të mos rrezikohet policia. Berisha ka folur edhe për zhvillimet në Hoqë të madhe.
























