Durmishi boton një studim të rrallë në fushën e psikologjisë politike
BKT
Kulturë

Durmishi boton një studim të rrallë në fushën e psikologjisë politike

Arben Veselaj/Radio Kosova

Psikologia nga Prishtina, Etleva Durmishi, e ka botuar librin “Psikologjia politike si strategji për emancipim politik - rasti i Kosovës”. Ky libër është një kontribut i çmuar në fushën e studimeve të psikologjisë politike, pasi që dihet që botimet e këtij lloji janë deficitare në botën shkencore e akademike të vendin tonë.

“Etleva Durmishi paraqet një punim pionier shkencor në këtë fushë skajshmërish deficitare në hapësirën gjithëshqiptare. Studimi i saj është psikologji politike teorike empirike e lokale. Është një prurje relevante që i kontribuon emancipimit tonë politik, hap shteg të ri në politologji, psikologji dhe në psikologjinë sociale”, ka vlerësuar në fjalën e tij recensenti i këtij libri, Ali Pajaziti.

Në njoftimin që ka bërë vetë autorja me rastin e botimit të librit, ka theksuar se libri saj synon t’i shpërfaq aspektet kryesore të psikologjisë politike, si fushë më vete, si dhe synon shënjimin e mundësive të psikologjisë politike “për të nxitur një emancipim politik që do të bazohej në një qartësi, njohuri dhe menaxhim të proceseve psikologjike dhe jo edhe aq në emocionalitet, reagime apo përvetësim automatik të skemave të ardhura nga jashtë”.  

Autorja më tej thekson se studimi i saj  bazohet në mënyrën se si shpaloset psikologjia politike në shoqërinë kosovare, se si ndikon personaliteti, formimi, media, kujtesa kolektive, ndërthurja kulturore, apo edhe rritja e hershme, në mënyrën e vendimmarrjes së njerëzve, në llojin e liderëve që përzgjedh dhe reflekton niveli i përgjithshëm social etj.

“Psikologjia politike nuk është një komentim i thjeshtë apo i njëanshëm i liderëve, sepse zakonisht kjo është pritshmëria e njerëzve kur bien në kontakt të parë me këtë koncept. Psikologjia politike është shumë më tepër se kaq”, ka shkruar autorja.

Me hulumtimet në fushën e studimeve psikologjike, autorja Durmishi ka marrë pjesë në konferenca shkencore, ndërkaq më parë ka botuar edhe dy libra të tjerë.


MË SHUME NGA Kulturë