KQZ nuk diskuton shtyrjen e zgjedhjeve në katër komunat e Kosovës
Shqipe Gashi/RTKlive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në orët e mbrëmjës të së premtes mbajti mbledhje, për të diskutuar lidhur me procesin zgjedhor në veri të vendit.
Kjo pasi zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të Republikës, janë caktuar të mbahen me 18 dhjetor.
KQZ-ja si institucioni i vetëm që organizon zgjedhjet në nivel të Republikës, ka diskutuar për mbarëvajtjen e përgatitjes së këtij procesi, por jo edhe shtyrjen e tyre.
Burime të RTKlive brenda KQZ-së konfirmojnë se në këtë mbledhje, nuk është diskutuar për shtyrjen e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve.
“Nuk është në mandatin e KQZ-së të bëjë vlerësime të sigurisë”, thotë ky zyrtar, duke shpjeguar se “askush nuk e ka diskutuar këtë temë”.
Ai shpjegon se janë institucionet e tjera që për shkaqe eventuale të sigurisë, i rekomandojnë KQZ-së shtyerjen e zgjedhjeve, por jo KQZ-ja.
Se KQZ-ja nuk rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve e ka konfirmuar shkurt edhe anëtari i këtij komisioni, Arianit Elshani.
“KQZ nuk rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve”, ka thënë shkurt Elshani.
Në anën tjetër, është tentuar që për këtë çështje të merret edhe një deklarim nga kryetari i KQZ –së, Kreshnik Radoniqi, megjithatë ai nuk ka dashur të japë ndonjë deklaratë për media.
Drejtuesit e shtetit të Kosovës, deri tani kanë thënë se institucionet kanë ofruar kushte për t’u mbajtur zgjedhjet në katër komunat ku janë dorëhequr kryetarët e dirighuar nga Serbia, e që ishin pjesë e Listës Serbe.
Në anën tjetër, zyrtarë amerikanë kanë kërkuar që të shtyhet mbajtja e zgjedhjeve për komunat e Zveçanit, Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se nuk ka kushte për t’u mbajtur këto zgjedhje, pas tensionimit të situatës në veri. Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, është pajtuar me këtë deklarim.
Kjo pasi ditëve të fundit ka pasur disa incidente në veri të vendit.























