Berisha: Vuçiq po luan me zjarrin
B. H. / RTKlive
Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka reaguar ndaj kërcënimeve të fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq ndaj Kosovës. Berisha ka thënë se Vuçiq po luan me zjarrin dhe po bën thirrje për luftë.
“Deklarimi i tij për futjen e 1 mijë ushtarëve serb në Kosovë është thirrje luftënxitëse. Presidenti i Serbomadhisë, Putini i vogël, po i bie këto kohë brirëve të konfliktit të ri në rajon. Paramilitar, forca speciale e tij dhe banda kriminale me mercenarët e Wagner po bëjnë gjithçka të destabilizojnë veriun e Republikës së Kosovës. Çdo natë vendosin eksplozive, shkrepin breshëri kundër forcave të Policisë së Kosovës që sigurojnë rendin, jetën dhe veprimtarinë normale të banorvë të zonave të Veriut të Kosovës”, ka shkruar Berisha.
Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, ka thënë se grupet kriminale në veri udhëhiqen nga presidenti i Serbisë.
“Këta kriminelë kanë plagosur me armë zjarri anëtarë në detyrë të forcave policore të Kosovës, bllokojnë rrugë dhe djegin makina. E gjithë kjo veprimtari subversive, kriminale e Beogradit ndaj Kosovës udhëhiqet direkt nga serbomadhi Aleksander Vuçiç apo Putini i vogël i cili ka shndërruar Serbinë, sot me shumë se kurrë, në Rusi të vogël në prapavijë shumë të rrezikshme të Rusisë në mbështetje të agresionit të saj barbar ndaj Ukrainës dhe ambicieve të Putinit në Ballkan”, ka shtuar Berisha.
Ai po ashtu nuk ka lënë pa e kritikuar edhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për të cilin tha se po e mbështet Vuçiqin.























