Xhaferi: Mbështesim dialogun Kosovë-Serbi deri në finale
Fadil Sertolli / RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi tha se do të vazhdojnë marrëdhëniet bilaterale konstruktive dhe intensive me Kosovën, me bashkëpunim në sfera të shumta me interes të ndërsjellë.
Këto komente i pari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi i bëri pas takimit me homologun e tij nga Kosova, Glauk Konjufca.
Xhaferi tha se mbështesin nismën për mbajtjen e seancës së dytë ndërqeveritare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.
“E informova se në Kuvend është ratifikuar Marrëveshja për bashkëpunim në turizëm ndërsa në procedurë parlamentare janë ligji për bashkëpunim në lidhje me diasporën, për statusin e pjesëtarëve të Armatës sonë dhe Forcave të sigurisë të Kosovës gjatë stacionimit në territoret e të dyja shteteve dhe për partneritet në kontekst të garantimit të marrëveshjes për ndihmë teknike në suazat e Programit IPA”, tha Xhaveri duke shtuar se këtu bën pjesë shfrytëzimi i IPA fondeve në drejtim të hapjeve të kalimeve kufitare të reja dhe modernizimi i atyre ekzistuese.
Po ashtu, ai tha se në lidhje me dialogun Prishtinë – Beograd, qëndrimi i tyre është i njëjtë si edhe më parë.
“Mbështetje e plotë deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, të pranueshme për të dyja palët, marrëveshje me të cilën do të garantohet paqja, stabiliteti, siguria dhe përparimi i të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi”, tha Xhaferi.
Tutje ai ka thënë se natyrisht, marrëveshja e arritur për targat e regjistrimit me ndërmjetësimin e BE-së është akt i cili ndikon në uljen e tensioneve në Veri të Kosovës, është shenjë pozitive dhe nxitje për vazhdimin e negociatave deri në normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
Konjufca tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë në anën e vërtetë, në të cilën është e gjithë bota demokratike
Në anën tjetër kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet midis dy vendeve, ndërsa theksoi nevojën për thellimin e mëtejmë midis tyre në të gjitha fushat.
Konjufca po ashtu theksoi se Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut ndajnë përcaktime dhe qëllime të njëjta strategjike në raport me politikën e jashtme.
Po ashtu Konjufca falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të vendit për Kosovën, në sferën e integrimeve euro-atlantike, si edhe për liberalizimin e vizave me BE-në.
“Që nga pavarësimi i Kosovës, të dy shtetet zhvillojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim bilateral pozitiv dhe konstruktiv në të gjitha fushat, për çka janë nënshkruar rreth 60 marrëveshje bilaterale”, tha ai.
Në raport me agresionin e papranueshëm të Federatës Ruse në Ukrainë, kryetari Konjufca potencoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë në anën e vërtetë, në të cilën është e gjithë bota demokratike.
Në takim u vlerësua se avancimi i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha sferat me interes të përbashkët, përfshirë ato të ndërlidhjes infrastrukturore e të bashkëpunimit tejkufitar, i kontribuon zhvillimit të ndërsjellë, stabilitetit të rajonit dhe më gjerë. Bashkëbiseduesit konfirmuan zotimet për intensifikimin e vizitave të ndërsjella, si ndërmjet kryetarëve të parlamenteve, ashtu edhe ndërmjet komisioneve përkatëse dhe grupeve parlamentare të miqësisë.























