Kurti në takim me Escobar: Barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë
BKT
Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës
Lajme

Kurti në takim me Escobar: Barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë

N.Mekolli /RTKlive

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Takimi i sotëm ishte në kuadër të vizitës së paralajmëruar të Këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili për shkak se rezultoi pozitiv me COVID-19 e pati të pamundur të realizojë vizitën e tij”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.

Bëhet e ditur se kryeministri Kurti fillimisht i uroi shërim dhe rikuperim të shpejt të.Chollet, teksa i shprehu mirëseardhje Escobar.

“U diskutua për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht në pjesën veriore të Republikë së Kosovës. U theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë” , thuhet në njoftim.

Në takim gjithashtu u diskutua për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe për rrugën përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Escobar përfundon takimin me Kurtin, nuk komenton situatën në veri|Video

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, është takuar me kryeministrin e vendit, Albin Kurti. Escobar në këto takime është shoqëruar edhe nga ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Pas daljes nga takimet Escobar, në një deklaratë të shkurtër për media, ka thënë se kjo ishte një vizitë rutinë në Kosovë.

I pyetur për situatën në veri të Kosovës, Escobar ka thënë së për këtë nuk mund të komentojë.

 

Pamje nga takimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar

Takimi Kurti-Escobar me dyer të mbyllura

Jeton Musliu/RTklive

Ka përfunduar takimi mes presidentes Vjosa Osmani me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel  Escobar.

Siç njofton gazetarja e RTK-së, Donika Sherifi, e cila po ndjek nga afër këto takime, tashmë Escobar ndodhet në takim me kryeministrin Albin Kurti.

Madje ky takim që ishte parashikuar të fillonte në orën 16:30, ka nisur për rreth 20 minuta më herët.

Ndryshe nga takimi Osmani-Escobar, në takimin Kurti-Escobar, gazetarët nuk janë lejuar të xhirojnë apo shkrepin fotografi.

Të gjithë gazetarët i kanë lënë jashtë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në pritje të përfundimit të takimit Kurti-Escobar. 

Emisari Escobar nis takimin me presidenten Osmani|Foto-Video

Ka mbërritur tashmë në Presidencë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Rreth orës 14:30, Escobar është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Në këtë vizitë ishte planifikuar të ishte edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Megjithatë, ky i fundit, anuloi vizitën në Kosovë, duke u thirrur në  “arsye familjare”.

Derisa ende është e paqartë nëse Chollet do realizojë vizitën e planifikuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e paralajmëruar nga 12 deri me 17 dhjetor, emisari Escobar pritet të takohet në orën 16:30 edhe me kryeministrin Albin Kurti, raporton RTKlive.

Vizita e dipomatëve të lartë amerikanë ndodh  në kohën kur situata në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe është e tensionuar.

Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.


MË SHUME NGA Lajme