Borell: BE nuk pranon barrikadat që bllokojnë rrugët|Video
BKT
Lajme

Borell: BE nuk pranon barrikadat që bllokojnë rrugët|Video

Gjeraqina Tuhina/ RTK/ Bruksel

(E plotësuar) Hapat që duhet ndërmarrë Bashkimi Evropian drejtë de-përshkallëzimit të situatës në Kosovë ishte porosia e përbashkët, që doli nga takimi i sotëm ministror, ku në dritë të zhvillimeve në veri, Kosova e Serbia, ishin pjesë e agjendës.

Lajçak me kërkesë të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, do të vizitojë Beogradin e  Prishtinën, të mërkurën për të gjetur mënyrën për uljen e  tensioneve.

Borrell, situatën në Kosovë e cilësoi  të rrezikshme, ndërsa sulmet ndaj EULEX-it i vlerësoi si të papranueshme. Borell, konfirmoi gatishmërinë e BE-së që në rast nevoje të dërgojë përforcim për misionin e EULEX-it në Kosovë.

 “Ata t’i kthehen dialogut, duhet ta tejkalojnë këtë tendencë të konfliktit në rrugë, krijimin e bllokadave. Kjo nuk është mënyra si kërkohet marrëveshja, kjo nuk është mënyra se si zhvillohen bisedimet, si kërkohet zgjidhja dhe normalizimi i raporteve përmes procesit në të cilin ata janë angazhuar. Unë e di se të dyja palët janë të gatshme të ulin tensionet dhe fuqishëm ftoj të dyja palët ta bëjnë këtë. Kjo prishje e rendit publik dhe kjo dhunë, janë të papranueshme”, deklaroi Borrell.

Ndërkaq ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock  ka bërë të qartë palëve si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi të vendosin sigurinë e qytetarëve si prioritet.

“Dhe e kam bërë të qartë që në njërën anë qeveria e Kosovës ka shtyrë mbajtjen e  zgjedhjeve atje, duke vendosur sigurinë e qytetarëve si prioritet. Ndërsa pala serbe vazhdon ta tensionojë edhe më shumë këtë situatë dhe kjo është e papërgjegjshme. Prandaj apeli im urgjent për Serbinë është që të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur njerëzit në atë pjesë. Është punë e politikës që të krijojë siguri për qytetarët dhe kjo situatë është përgjegjësi e Qeverisë së Serbisë”, ka thënë Annalena Baerbock, ministrja e Jashtme gjermane.

Borrrell: Lajçaku do ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë më 14 dhjetor

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka konfirmuar se ka kërkuar nga Miroslav Lajçak të vizitojë rajonin me qëllim të uljes së tensioneve në veri.

Sipas Borrellit, vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd pritet të ndodhë të mërkurën, më 14 dhjetor, një ditë para samitit të BE-së, i cili mbahet më 15 të këtij muaj.

Borrell gjithashtu konfirmoi se në takimin e ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të BE-së janë pajtuar të gjithë se duhet ndërmarrë hapa drejt uljes së tensioneve.


MË SHUME NGA Lajme