Kurti uron ditën e Shën Luçisë
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Kryeministri i vendit, Albin Kurti mbrëmjen e kishte të rezervuar për festën e organizuar nga Ambasada e Suedisë në Kosovë në shënim të ditës së Shën Luçisë.
Kreu qeveritar gjatë fjalimit si i ftuar në pritjen e organizuar nga Ambasada suedeze tha se kjo festë, mes të tjerash, është thirrje për solidaritet ndërmjet familjeve, miqve dhe komuniteteve, veçanërisht tani, siç tha ai në këto kohë sfiduese për kontinentin.
Ai ka uruar të pranishmit, popullin suedez dhe të gjithë ata që e festojnë, ditën e Shën Luçisë.

“Unë jam mirënjohës për ftesën për t'u bashkuar në festën e Shën Luçisë. Një ditë shumë e veçantë në Suedi, e cila siç dihet festohet edhe në vende të ndryshme të Evropës”, ka thënë kryeministri para të pranishmëve.
“Siç thotë legjenda, gjatë jetës së saj, Luçia ua shpërndau pasurinë më të varfërve dhe tregoi mirësi ndaj njerëzve të tjerë. Ajo përhap dritë dhe pozitivitet në komunitetin e saj, dhe kjo është diçka që ne të gjithë kemi nevojë për më shumë, gjithnjë e më shumë”, ka shtuar tutje shefi qeveritar.

Sipas Kurtit, kjo festë është gjithashtu një thirrje për të marrë pak kohë për të përqafuar këtë frymë dhe për të ndriçuar pak dritë në jetën e familjeve, miqve dhe komuniteteve. “Dhe veçanërisht tani, në këto kohë sfiduese për kontinentin tonë”, ka thënë para të pranishmëve në festë kreu i qeverisë.























