Ministri Aliu paraqet të arriturat para Komisionit kuvendar
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Ministri i Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës, Liburn Aliu gjatë raportimit para Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim të Kuvendit të Kosovës ka numëruar një për një për të arriturat e kësaj Ministrie gjatë vitit 2022.
Si dy të arritura kryesore qysh në fillim të raportimit, ministri Aliu përmendi nënshkrimin e dy marrëveshjeve të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës të Kosovës.
“Marrëveshja e parë është bashkëfinancimi për studimin e fizibilitetit për projektin e të linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, me qëllim të përcaktimit të procedurave dhe ndarjes së kostove ndërmjet palëve për financimin e studimit të fizibiliotetit të projektit të linjës hekurudhore, ndërkaq marrëveshja e dytë është bashkëpunimi për vlerësimin e gjendjes në përmirësimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitare që lidhin zonat kufitare Kosovë- Shqipëri”.
Për të dyja këto projekte, ministri Aliu tha se kanë pasur ndikim të rëndësishëm. E para, tha ai sidomos për banorët lokal që janë në zonat e thella malore që janë të izoluara dhe asfaltimi i këtyre rrugëve ka pasur të bëjë drejtpërdrejtë me jetën e qytetarëve, kurse çështja e hekurudhës, tha ai është projekt që ka të bëjë me interesin jo vetën të të dyja vendeve, por të të gjithë regjionit e që Kosovën dhe Shqipërinë, sipas tij, i avancojnë në vende të rëndësishme të mallrave në nivel regjioni.
Ndërkohë, studimi i fizibilitetit për projektin e banimit të përballueshëm, Aliu tha se është një ndër premtimet dhe sfidat kryesore që i ka vendi.
“Një pjesë e madhe e qytetarëve e lëshojnë vendin edhe për shkak të mungesës së nevojës së realizimit të banimit me çmime të volitshme që kjo ka të bëjë me shtresën e mesme dhe punëtoret e administratës”, tha tutje ai.
Ndërkohë, me interes të lartë tha të ketë qenë vendimi për shpronësim publik të pronave që preken nga ndërtimi i poligonit kryesor të trajnimit për nevojat e FSK-së.
“Projekte që kanë ardhur nga dy ministri ajo e MPB-së dhe Ministria e Mbrojtjes kane qenë projekte që ne i kemi marr me prioritet dhe te Ministria e Mbrojtjes ndërtimi i këtij poligoni ka qenë tejet i rëndësishëm, sidomos në rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të ushtrisë”, tha tutje Aliu.
I pyetur se kur do të fillojë projekti për rimbursimin e shisheve, Aliu si target ka dhënë fundin e vitit të ardhshëm.
“Secili qytetarë që i përdor shishet e plastikes do të ketë mundësi t’i grumbullojë ato. Do ta paguaj një taksë shtesë. Për shembull, kur blen një shishe ujë me 5 cent më shtrenjtë e ato 5 cent kthehen në momentin që i mbledhë, i grumbullon e i dërgon në pikën e grumbullimit. Ato numërohen dhe kthehen paratë, qoftë përmes kartelës apo përmes kuponit që e merr. Ky sistem aplikohet në shumë vende të Evropës. Ne, mendojmë që do të funksionojë edhe në vendin tonë, jemi në finalizim që kërkon bukur hapa të kujdesshëm. Fundi i vitit që vjen është target kur ne planifikojmë të fillojmë në realizim të këtij projekti”, tha ai.























