Ulet konsumi i energjisë në krahasim me vitin e kaluar
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se konsumi i energjisë elektrike gjatë këtij viti në Kosovë është ulur veçanërisht tek amvisëritë, e kjo ulje, sipas saj, shkon deri 15 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
Megjithatë, ka thënë se tash është faza kritike e dimrit kur kërkesa për energji po rritet, prandaj u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë energjinë në mënyrë racionale.
“Tani kemi hyrë në fazë kritike të dimrit, kur kërkesa për energji po rritet me rastin e uljes së temperaturave, jo vetëm këtu, por në gjithë Evropën, ku çmimet po ngritën. Dje dhe sot në bursa ndërkombëtare veç kemi çmime të energjisë mbi 500 euro për megavat orë, që i bie rreth tetë fish më shumë paguhet energjia që importojmë në krahasim me çmimin për megavat orë që e paguajmë në faturat tona si qytetar. Andaj, dua që t’i inkurajoj të gjithë të vazhdojnë të kursejnë e veçanërisht gjatë ditëve e javëve në vijim ta shfrytëzojnë energjinë në mënyrë më racionale”, tha ajo.
Rizvanolli tha se para rreth një muaji është vlerësuar se gjatë dimrit duhet të importohet 20 për qind energji elektrike dhe 300 milionë duhen për të kaluar dimrin, por si shkak i kursimeve, parashikimet kanë ndryshuar.
Këto deklarime ministrja Rizvanolli bëri gjatë konferencës në të cilën foli për Planin e Veprimit për pakon emergjente të Bashkimit Evropian e cila ka gjashtë masa të votuara tashmë në Qeverinë e Kosovës.
Tha se nga 500 milionë euro sa ka ndarë BE-ja për shtetet e Ballkanit Perëndimor, 75 milionë janë për Kosovën.
“I bie rreth 43 euro për kokë banori që është shuma më e lartë për kokë banori në vendet e rajonit”, tha Rizvanolli.
Ndër masat që ka përmendur janë ajo për mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për familjet në nevojë për periudhën e dimrit. Tjetra me vazhdimin e masës për kursim të energjisë nga konsumatorët familjarë.
Një tjetër masë sipas Rizvanollit parasheh investime në masa të efiçiencës së energjisë në njësitë e banimit dhe ndërtesa, në shumë totale prej 20 milionë euro.
“Masat që do të realizohen në kuadër të kësaj mase janë izolimet e ndërtesave, fasadat e jashtme, ndërrimi i dyerve dhe dritareve ku target janë konsumatorët familjar edhe veçanërisht ata në nevojë, në veçanti banorët e banesave kolektive që janë përfitues të ndihmës sociale”, tha tutje ministrja duke përmendur me radhë masat e këtij Plani të Veprimit.
Rizvanolli, ka treguar për milionat që janë disbursuar deri tash ndaj përfituesve të subvencionimit të pajisjeve efiçiente ku përfituan mijëra qytetar në të dyja thirrjet, por ka treguar se shtyrje të afatit nuk do të ketë meqë planifikimi është bërë i tillë që të gjitha aplikacionet të trajtohen e mjetet të disbursohen gjatë këtij viti fiskal.
Tutje, Rizvanolli ka treguar se nga subvencionimi i faturave të energjisë nga shkurti e deri tani janë disbursuar 57.84 milionë euro ndërsa 7. 51 milionë pritet të disbursohen brenda ditëve në vijim, nga i cili subvencion tha se kanë përfituar mbi 467 mijë amvisëri e mbi 70 mijë biznese.























