Kovaçevski: Marrëveshja Kosovë-Serbi, garanton paqe në rajon|Video
Besnik Iseni/Shkup/RTK
Për situatën në veri të Kosovës ka folur sot kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Ai ka thënë se një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve do të garantonte paqe e stabilitet në vend. Sipas tij, tensionet në veri mund të shkaktojnë efekte negative edhe në rajon.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut , Dimitar Kovaçevski tha se ndjehet i shqetësuar rreth situatës në veri të Kosovës. Ai tha se Kosova dhe Serbia do duhet të kërkojnë zgjidhje paqësore.
“Sa për Kosovën, edhe ministri i Punëve të Jashtme por edhe unë, shprehim shqetësim për atë që ndodhë në veri të Kosovës, e ku vlerësoj që të gjitha palët duhet të sillen në përputhje me vendosjen e paqes në veri të Mitrovicës", tha kryeministri maqedonas.
"Tensione të tilla në atë pjesë mund të shkaktojnë edhe efekte negative në rajon dhe mendoj se zgjidhja duhet të kërkohet përmes dialogut, që ka filluar dhe që është me ndërmjetësim ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Autoritetet në Shkup vlerësojnë se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të garantonte paqen dhe stabilitetin në rajon.























