Murati: Vendi i punës të ofrojë dinjitet dhe mirëqenie për të punësuarit
V. Thaçi / RTKlive
Ministria e Financave mbajti konferencën hapëse me rastin e lansimit të fushatës “Punë e denjë për jetë të dinjitetshme”.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se për herë të parë në Kosovë po zhvillohet një fushatë e udhëhequr nga Ministria e Financave, ku përfshihen institucione të ndryshme të Kosovës, partnerë ndërkombëtar dhe organizata nga shoqëria civile.
Ai tha se kjo fushatë fillon tani dhe vazhdon deri në muajin maj të vitit 2023, dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së punëtorëve dhe punëdhënësve për çështjet kryesore të ndërlidhura me të drejtat e punës.
“Duke marre parasysh sfidat që punëtorët përballen në vendin tonë, kemi hartuar një program, i cili vendos punën në epiqendër të programit”, tha ai.
Sipas Muratit, qeveria ka investuar fonde të shumta për të siguruar mundësi punësimi për qytetarët, duke marrë parasysh nevojën e domosdoshme që të ketë vende të reja të punës, megjithatë kuptohet që gjithçka nuk përfundon me gjetjen e vendit të punës, por duhet të sigurohemi që vendi i punës të ofrojë dinjitet dhe mirëqenie për të punësuarit.
“Shtyllat kryesore të të drejtave të punës, siç janë: orari, kompensimi, ushqimi dhe siguria e shëndetit në punë janë të patjetërsueshme dhe si të tilla ministria e financave është këmbëngulëse në zbatimin e tyre, sepse vetëm në këtë mënyrë sigurojmë një ambient produktiv të punës”, tha Murati.
Kurse Nasrin Pourghazian, udhëheqëse për zhvillim pranë Ambasadës së Suedisë në Kosovë, gjatë fjalës së saj konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë suedeze në përmirësimin dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve.
Fushata "Punë e Denjë për Jetë të Dinjitetshme" do të zbatohet nën udhëheqjen e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, me mbështetjen e Ambasadës Suedeze në Prishtinë. Partner zbatues të fushatës janë Inspektorati i Punës, Administrata Tatimore e Kosovës, ILO, UN Women, CDF, IKS, QPA , dhe LENS.























