AAK kërkon që Ligji i Pagave të fuqizohet më së largu deri në shkurt
BKT
Foto: Qëndresa Duraku-Xharra/RTK
Lajme

AAK kërkon që Ligji i Pagave të fuqizohet më së largu deri në shkurt

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Të premten e 9 dhjetorit, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan në parim Projektligjin për Paga e atë për Zyrtarët Publikë.

Vota për këto projektligje kishte edhe AAK-ja opozitare, megjithatë të njëjtat vota nuk i premtojnë për leximin e dytë.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka kërkuar që në mes të dyja leximeve këto projektligje të kenë ndryshime e të hiqen nenet që mund të rrezikonin ato të rrëzoheshin nga kushtetuesja.

Tahiri që drejton deputetët e AAK-së në Kuvend, tha se Ligji i Pagave duhet të fuqizohet më së largu në shkurtin e vitit të ardhshëm  e vlera e koeficientit të jetë 129 euro.

“Vlera prej 129 euro është vlera që duhet të jetë dhe këtë do ta adresojmë përmes një amendamenti në Komisionin funksional ku jam anëtar”, ka paralajmëruar Tahiri.

Gjithashtu ai ka thënë se provizionet që bëjnë dallime mes institucioneve kushtetuese duhet të evitohen.

“Siç është ai me Kuvendin, pastaj në shtojcë tek disa institucione siç është Dogana dhe Administrata Tatimore  dhe nenet tjera që rrezikojnë që ky ligj potencialisht të shkojë në kushtetuese e të bie. Pra nuk duam lojë dhe nuk do të mbështesim asnjë nen që potencialisht e rrezikon këtë Ligj në Gjykatë Kushtetuese”, tha tutje ai.

Ndërkohë, kur foli Projektligjin për Zyrtarët Publik, Tahiri tha se janë tri çështje shumë të rëndësishme.

“Nëse u preket mandati, pra nëse pozitat e larta në administratë shtetërore do të kthehen në mandat jam i bindur se kushdo që e qon në kushtetuese ky Ligj do të bie. Po ashtu, nenet që rrezikojnë meritokracinë dhe ngritjen në karrierë të zyrtarëve publik mund gjithashtu të shkaktojnë rrëzim në Gjykatë Kushtetuese”, vijoi ai.

Sipas Tahirit, një çështje tjetër është edhe dallimi në mes të ministrive.

“Nuk mund të ketë një ministri me fuqi e status më të veçantë se sa një ministri tjetër. Pra nëse i japim privilegj një ministrie të caktuar, ne kemi krijuar alibi që këto ligje të rrëzohen në kushtetuese”, shtoi ai.

Sipas tij, Aleanca ka frikë se qeveria do të vazhdojë siç tha me avazin e vjetër. “Tri herë e ka shtyrë Ligjin, tash kur e miraton të lë nëne që potencialisht e rrëzojnë këtë Ligj në kushtetuese”.

Ai ka treguar arsyen pse AAK-ja kishte votë për në parim. “Sepse është 70 për qind e draftit që e kemi përpiluar në Qeverinë Haradinaj”, tha ai


MË SHUME NGA Lajme