PSD me aksion në ndërtesën e Qeverisë: Tension për Asociacion
B.H. / RTKlive
Partia Socialdemokrate nëpërmjet një aksioni simbolik në objektin e Qeverisë së Kosovës ka reaguar ndaj situatës në veri të vendit.
Sipas këtij subjekti politik ‘tensioni deri në situatë të jashtëzakonshme është racionalja e re e dialogut dhe mënyra e re e koncesioneve’.
“Kur kompromisi bëhet nën tension nuk flitet më për lëshimet, por për rrezikun që i shpëtuam. Tensionet kaotike, joserioze dhe të pamenduara në Veri e kanë pasur edhe një efekt. Nëse Veriun e vendit e trajton vetëm me hekur dhe kerbaç, ky është argument për formimin e Asociacionin. Kjo mënyrë e Qeverisë e ka unifikuar bashkësinë ndërkombëtare me Serbinë. Tensionet në veri po shërbejnë si katalizator për Asociacionin”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PSD-së pas aksionit të sotëm në ndërtesën e ekzekutivit, ku aktivistët e këtij subjekti politik vendosën disa grafite.

























