Gjykata Speciale shpall fajtor Sali Mustafën, dënohet me 26 vjet burgim
V.Thaçi / RTKlive
(E plotësuar) Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor Salih Musafën dhe e ka dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte.
“Duke qenë se jeni shpallur fajtorë për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”, ka theksuar Mappie Veldt-Foglia, kryesuese e trupit gjykues gjatë leximit të aktvendimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ky njëherësh është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Mustafa u shpall fajtor për krime lufte në Zllash në vitin 1999. Kryetarja e trupit gjykues ka thënë se kanë marrë për bazë dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar pasi kanë qenë të besueshme dhe u konfirmuan nga prova të tjera. Ajo ka thënë se dëshmitë ishin të qarta dhe koherente, derisa përshkrimet ishin të gjalla dhe të rrëfyera me emocion.
“Provat vërtetuan se Mustafa ishte i pranishëm në kompleksin në Zllash gjatë prillit 1999. Trupi konstatoi se ai urdhëroi BIA-n që viktimat të ktheheshin në vendin e tyre pasi ishin marrë në pyetje. Trupi konstatoi se Mustafa qëllimisht ua hoqi lirinë viktimave dhe e dinte se atyre nuk iu dha asnjë garanci bazë gjatë ndalimit të tyre. Trupi gjykues konstatoi se Prokurori i Specializuar ka vërtetuar jashtë dyshimit të arsyeshëm se është kryer krimi i luftës i ndalimit arbitrar kundër të paktën 6 personave në kompleksin në Zllash në prill 1999”, ka thënë gjykatësja.
Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale .
Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë,14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.
Njoftimi zyrtar i Dhomave tëSpecializuara në Hagë për dënimin e Salih Mustafës me 26 vjet burgim
Sot më 16 dhjetor 2022, Trupi Gjykues i shqiptoi aktgjykimin në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës. Aktgjykimi shënon një moment të rëndësishëm për Dhomat e Specializuara të Kosovës (“DHSK”), duke qenë se është aktgjykimi i parë i kësaj gjykate në një çështje për krime të luftës.
Trupi Gjykues e shpalli z. Mustafa fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim. Për arsye ligjore, Trupi Gjykues e shpalli z. Mustafa të pafajshëm për krimin e trajtimit mizor. Kur shqiptoi vendimin, Trupi Gjykues nënvizoi se akuzat në këtë çështje gjyqësore kanë të bëjnë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të z. Mustafa dhe përfshirjen e tij në krimet e pretenduara të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme të viktimave. Duke vënë në dukje se viktimat në këtë çështje janë shqiptarë kosovarë, Trupi Gjykues gjithashtu theksoi se “përpjekjet e tyre për të gjetur drejtësinë dhe të vërtetën janë thelbi i këtij procesi”.
Krimet për të cilat z. Mustafa u shpall fajtor ndodhën në prill 1999 në një kompleks në fshatin Zllash, në Kosovë, i cili përdorej si bazë nga njësiti gueril BIA i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), komandant i të cilit ishte z. Mustafa.
Në aktgjykim, Trupi Gjykues konstatoi se gjatë konfliktit midis UÇK-së dhe forcave serbe, z. Mustafa ishte komandanti i vetëm dhe i përgjithshëm i njësitit gueril BIA të UÇK-së deri në shpërndarjen e tij; se ai kishte nën komandë kompleksin në Zllash gjatë periudhës kur ndodhën krimet e pretenduara; dhe se kishte kompetencë për emërime në njësitin gueril BIA, për t’u dhënë urdhra vartësve të vet dhe për t’i disiplinuar.
Në lidhje me krimin e ndalimit arbitrar, Trupi Gjykues konstatoi se të paktën gjashtë persona u arrestuan nga anëtarë të BIA-s ose anëtarë të tjerë të UÇK-së dhe atyre iu hoq liria në kompleksin në Zllash pa iu treguar arsye, e pa iu dhënë mundësi të kundërshtonin ligjshmërinë e mbajtjes në ndalim. Provat vërtetuan se z. Mustafa ishte i pranishëm disa herë në kompleksin e ndalimit në Zllash dhe i urdhëroi vartësit t’i kthenin të ndaluarit në vendin ku mbaheshin në ndalim. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues konstatoi se z. Mustafa e dinte për mbajtjen e tyre në ndalim dhe kushtet e ndalimit.
Në lidhje me krimin e torturës, gjykatësit theksuan se të ndaluarit u akuzuan se ishin spiunë, bashkëpunëtorë të serbëve, tradhtarë, hajdutë, ose gënjeshtarë dhe u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese, pa ujë, ushqim dhe ndihmë mjekësore të mjaftueshme; nuk u lejohej larja e pastrimi ose ndërrimi i teshave, dhe as përdorimi i objekteve sanitare. Z. Mustafa dhe vartësit e tij të BIA-s qëllimisht u shkaktuan dhimbje e vuajtje të mëdha të ndaluarve, me synimin e marrjes së informatave ose deklaratave pranuese, duke i ndëshkuar, frikësuar, shtrënguar dhe/ose diskriminuar për arsye politike.
Trupi Gjykues theksoi se “keqtrajtimi fizik dhe psikologjik, bashkë me kushtet çnjerëzore dhe poshtëruese të ndalimit, u shkaktuan të ndaluarve lëndime të përhershme fizike dhe psikologjike”.
Në lidhje me krimin e vrasjes së paligjshme, Trupi Gjykues konstatoi se viktima e vrasjes së paligjshme ishte pothuajse i vdekur kur si pasojë e ofensivës serbe në prill 1999, njësiti gueril BIA i liroi të burgosurit, me përjashtim të dy më të rrahurve egërsisht. Trupi Gjykues konstatoi si shkak të vdekjes keqtrajtimin e rëndë të shkaktuar nga anëtarët e njësitit gueril BIA gjatë një periudhe prej pothuajse tri javësh dhe mungesën e ndihmës mjekësore për viktimën, si dhe disa plagë të shkaktuara nga armë zjarri, të pranishme në kufomën e viktimës.
Në lidhje me përgjegjësinë penale të z. Mustafa, Trupi Gjykues konstatoi se vetë z. Mustafa mori në pyetje dhe keqtrajtoi dy nga të ndaluarit, në raste të ndryshme, si dhe njërin prej tyre bëri sikur do ta ekzekutonte.
Në lidhje me pretendimet e tjera faktike mbi të cilat bazohen akuzat për krimet, Trupi Gjykues konstatoi se z. Mustafa është penalisht përgjegjës përmes kontributit personal si pjesëmarrës i ndërmarrjes kriminale të përbashkët.
Në përcaktimin e dënimit të z. Mustafa, Trupi Gjykues mori parasysh peshën e krimeve dhe kontributin personal të z. Mustafa në krimet. Egërsia e veçantë e torturave, pozita eprore e z. Mustafa si dhe përfshirja e drejtpërdrejtë personale e tij në këtë krim u vlerësuan nga Trupi Gjykues si faktorë rëndues.
Kur shqiptoi vendimin e gjykimit Trupi Gjykues theksoi guximin e jashtëzakonshëm të dëshmitarëve dhe viktimave që dhanë dëshmi me gjithë etiketimin e tyre në Kosovë si “tradhtarë” apo “bashkëpunëtorë” dhe kërcënimet e frikësimin për bashkëpunimin e tyre me Dhomat e Specializuara ose Prokurorin e Specializuar.
Trupi Gjykues shpjegoi se atmosfera e frikës dhe frikësimit është arsyeja pse gjykatësit urdhëruan masa mbrojtëse për shumë dëshmitarë dhe viktima në këtë çështje gjyqësore dhe theksoi se ajo ishte gjithashtu një nga arsyet për krijimin e kësaj gjykate dhe vendosjen e saj në Hagë.
Gjatë gjykimit, Trupi Gjykues dëgjoi 28 dëshmitarë - 13 të thirrur nga Prokurori i Specializuar dhe 15 të thirrur nga Mbrojtja. Trupi Gjykues gjithashtu shqyrtoi deklarata me shkrim, prova shkresore dhe aktekspertiza.
Tetë viktima morën pjesë në proces dhe të gjithë ishin nën masa mbrojtëse.
Së fundi, Trupi Gjykues njoftoi se më pas do të lëshojë një urdhër për zhdëmtim dhe se ruan juridiksionin e nevojshëm në lidhje me këtë.
Nis seanca e aktgjykimit për Salih Mustafën
Ka filluar seanca në të cilën pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Salih Mustafës, të cilin Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), po e akuzon për krime lufte, për çka Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha aktakuzat.
Mappie Veldt-Foglia, kryesuese e trupit gjykues, në fillim të seancës, para shpalljes së vendimit ka thënë se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës.
Ajo tha se në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja.
Ajo ka thënë se viktimat që kanë marrë pjesë në procesin gjyqësor kundër Mustafës janë të frikësuar për veten dhe familjarët e tyre dhe ende janë të traumatizuar për atë që kanë përjetuar.
Veldt-Foglia shtoi se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta dhe koherente.
Sipas saj dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën.























