Specialja: Akuzohen katër persona, jo UÇK, masakrat kanë ndodhur
Jeton Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Kryegjyqtari i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në seancën mbi ecurinë në rastin “Thaçi e të tjerët”, diskutoi edhe mbi një propozim të prokurorisë.
Sipas kësaj kërkese të organit të akuzës, në procesin gjyqësor, nuk ka nevojë të diskutohet dhe debatohet mbi disa tema që tashmë janë të njohura.
Fillimisht kryegjyqtari i kësaj seance deklaroi se Dhomat e Specializuara, nuk janë institucion që merret me tema historike.
Ai tha se të akuzuar janë vetëm katër persona dhe nuk është duke u gjykuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës apo dikush tjetër, raporton RTKlive.
“Janë katër persona të akuzuar dhe seancat mbahen ndaj tyre. Nuk ka nevojë këtu për leksione të ngjarjeve historike”, tha ai.
Ai deklaroi se masakrat e Serbisë në Kosovë nuk diskutohen (në kontekstin se ato kanë ndodhur dhe nuk ka pse duhet të vihen në pikëpyetje apo të diskutohet për ato ngjarje v.j).
Kryegjyqtari deklaroi se pajtohet me propozimin e prokurorisë se ato masakra kanë ndodhur dhe nuk ka nevojë të debatohet mbi to.
Ai tha se gjykata nuk do të lejojë paraqitjen e provave të krimeve serbe për të treguar ato ngjarje, raporton RTKlive.
“Nuk jemi shoqatë historike dhe nuk do të lejohet. Këtu janë vetëm këta persona të akuzuar dhe veprimet e tyre”, tha kryegjyqtari.
E derisa prokuroria i pajtua me këtë qëndrim të kryegjyqtarit, avokatët mbrojtës e kundërshtuan një gjë të tillë.
Sipas tyre, nuk mund të kalohet e gjithë ajo periudhë e luftës në Kosovë, vetëm me një deklaratë të prokurorisë se- “pranohen krimet edhe kaq”.
Ata thanë se për shumë akuza, duhet treguar e shpjeguar konketstin e ngjarjeve që të shpjegohet situata.
Procesi gjyqësor “Thaçi e të tjerët” nis me 1 ose 27 mars 2023
Përplasje të fortë mes prokurorëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe avokatëve mbrojtës në seancën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Tani kur pritet që me 1 mars, të fillojë procesi gjyqësor ndaj “Thaçit e të tjerëve”, (Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi), sipas vendimit të Trupit Gjykues, dokumentet e paredaktuara të Prokurorisë, për rreth 40 dëshmitarë të saj, do t’i dorëzohen palës mbrojtëse vetëm 30 ditë para fillimit të procesit gjyqësor.
Në këtë pikë, avokatët mbrojtës kundërshtuan, duke kërkuar më shumë kohë, sepse sipas tyre, rreth 46 mijë faqe dokumente, është e pamundur të lexohen e administrohen për 30 ditë.
Në këtë rast, avokatët thanë se kjo do të thoshte se ata duhet të lexojnë mbi 1 mijë dokumente në ditë, pa pasur pastaj mundësi të hartojnë mbrojtjen, në raport me këta dëshmitarë.
Avokatët mbrojtës deklaruan se në dokumentet e prokurorisë që aktualisht ata i kanë, ka shumë redaktime, aq sa është e pamundur të shtrohen pyetje për dëshmitarët.
Për këtë arsye, mbrojtja kërkoi që dokumentet e paredaktuara për këta dëshmitarë, t’i jepen palës mbrojtëse sa më parë, kurse fillimi i procesit gjyqësor të fillojë të hënën e fundit të muajit mars.

Seancë në Speciale, shpjegime procedurash në rastin “Thaçi e të tjerët”
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot po mbahet seancë mbi ecurinë e çështjes në rastin “Thaçi e të tjerët”.
Kryegjyqtari paraqiti procedurat dhe oraret që do të ndiqën deri në mbërritjen e nisjës së procesit gjyqësor.
Ai tha se kjo konferencë po mbahet në mënyrë që çështja të kalojë sa më shpejt në gjykim.
Kryegjyqtari vlerësoi të gjitha palët, për të cilat tha se kanë qenë bashkëpunuese deri më tani në këtë rast.
Kryegjyqtari u shpreh se janë të vetëdijshëm që kjo çështje ka hyrë në vitin e tretë, e ku të akuzuarit po mbahen në paraburgim.
“Për këtë nuk ka nevojë të na rikutjohet sepse e dimë”, tha ai, duke shtuar se - “të jeni të sigurt që trupi gjykues do të bëjë çkado që është e mundur që procesi të fillojë sa më shpejt”.
Kryegjyqtari deklaroi se janë lexuar dosjet paragjyqësore të palëve.
“Ky trup gjykues inkurajon bashkëpunimin. Që të ketë gjykim të shpejtë e të drejtë, është përgjegjësi e të gjithëve”, tha ai.
Më tej ai paraqiti edhe oraret e mbajtjes së seancave. “Shpresoj të punojmë 20 orë në javë në këtë sallë të gjyqit”.
Me pajtimin e të gjitha palëve u vendos që anglishtja të jetë gjuhë e punës.
Derisa prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar deklaroi se dakordohet me orarin e prezantuar nga gjykata, avokatët propozuan që fundi i muajit mars të jetë fillimi i procesit gjyqësor.
Ai tha se protokolli ua ka vështirësuar punën se mbrojtja nuk ka mundur të kontaktojë dëshmitarët e prokurorisë për të marrë deklaratat e tyre. Kjo për shkak se emrat e tyre janë të redaktuar.
“Kërkojmë të rishikohet protokolli i dëshmitarëve ndërkombëtarë”, thanë avokatët, duke aluduar në refuzimin nga ana e gjykatës, të një liste dëshmitarësh të mbrojtjes.
“Jemi duke pritur vendimin për ankesën tonë mbi dëshmitarët. Janë edhe 54 dëshmitarë të redaktuar për të cilët duhet t’i marrim të dhënat tre ditë para gjykimit”, rikujtuan ata.
Prandaj, mbrojtja propozoi që fillimi i procesit gjyqësor të fillojë në fundin e muajit mars.
Me këtë kërkesë u pajtuan të gjithë avokatët mbrojtës.
Sot në Speciale seancë mbi ecurinë e rastit “Thaçi e të tjerët”
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot mbahet seancë mbi ecurinë e çështjes në rastin “Thaçi e të tjerët”.
Më 30 shtator të këtij viti, Prokuroria ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ajo përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Kjo seancë pritet të fillojë rreth orës 11:00.























