Shtyhet seanca gjyqësore ndaj Pal Lekajt
E.Hoti/RTKlive
Seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit Pal Lekaj, në rastin e aferës së 53 milionëve të ndara shtesë për Bechtelin, është shtyrë me kërkesë të palës mbrojtjes.
Avokati i Lekajt, Musa Damati, ka kërkuar shtyrjen e seancës për shkak se klienti i tij ndodhet për vizitë jashtë vendit.
Megjithatë, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, ka thënë se provat nuk kanë qenë të arsyeshme dhe ka paralajmëruar se në rastet e tjera, gjykata do të japë urdhër për sjelljen e të akuzuarit në procedurë.
Aktakuza ndaj Pal Lekajt është ngritur në fillim të këtij viti nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Ai akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit.























