Kusari Lila: LVV-ja ishte kundër Speciales, nuk mundi ta ndalte e vetme
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
26 vjet burgim iu caktuan si dënim ish-pjesëtarit të UÇK-së Salih Mustafa nga Dhomat e Specializuara në Hagë. E për këtë ka folur edhe shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila.
Sipas saj, qëndrimi i Vetëvendosjes në raport me Gjykatën Speciale tashmë është i ditur. Tha se ishte i vetmi Grup Paralamentar që e kishte kundërshtuar themelimin e saj, por nuk kishte arritur ta ndalte.
“Qëndrimi i LVV-së në raport me Gjykatën Speciale është tashmë i ditur, është konsideruar si vendim i gabueshëm. Është grupi i vetëm parlamentar që nuk e ka mbështetur, por nuk ka mundur ta ndalë”, tha ajo.
Tash pjesa tjetër, vazhdoi Kusari-Lila, janë pasoja të një veprimi të ndodhur në Kuvendin e Republikës, pasojat e së cilit veprim do t’i bartë edhe vendi.
“Janë pasoja të një veprimi i cili ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës, por pasojat po i bartin të tjerët e do t’i bartë edhe vendi në raport me ehon që japin vendime të tilla, derisa ende sot në Kosovë arrestohen ata që kanë kryer krime luftë ndaj popullatës civile”.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, por është shfaqur i bindur se pas apelimit të vendimit drejtësia do të dalë në pah.

“Lufta e UÇK-së ka qenë luftë për liri, luftë e drejtë kundër sistemit dhe okupimit të Milosheviqit. Ky vendim duhet të apelohet. Drejtësia duhet të dalë në pah. Cali e të gjithë bashkëluftëtarët tjerë kanë bërë luftë të drejtë dhe për mua personalisht dhe gjithë shqiptarët që frymojnë shqip kjo është diçka e pakapshme, e paargumentueshme. Jam i bindur se drejtësia do të dalë dhe do të rezultojë që ai do ta fitojë në apelim", tha Tahiri.
Këto deklarime të të dy shefave të grupeve parlamentare nga pozita e opozita u bënë pas mbledhjes së gjatë të Kryesisë, ku është vendosur që të enjten e ardhshme të ketë seanca.
Në seancën e parë të enjten do të trajtohen dy projektligje ai për Zyrtarët Publikë dhe Ligji i Pagave për të cilat një ditë më parë Kuvendi vendosi që t’i shmangë procedurat kuvendare e t’i votojë me procedura të përshpejtuara.

Por, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes u pyet se pse në Kuvend nuk po votohet Projektligji për Pagën Minimale.
Ajo tha se i njëjti është në trajtim, por ngecja ka ardhur si shkak i kompleksitetit të situatës kur bëhet fjalë për lidhjen që ka paga minimale me pensionin e veteranit.
“E dimë se ka pasur në veçanti në periudha të para zgjedhjeve abuzime me statusin që fatkeqësisht veteranët e mirëfilltë i kanë lënë në një gjendje të keqe në raport me normën apo me pagën që e marri, ndërsa disa të tjerë që e kanë marr atë status si e kanë marr përfitojnë jashtëligjshëm. Kompleksisteti i situatës e ka sjellë edhe ngecjen tek Projektligji i Pagës Minimale që gabimisht është lidhur me statusin e kategorive të dala nga lufta”, tha ajo.
Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, seancën e së enjtes ku do të trajtohen projektligji për Zyrtarët Publikë e ai për Pagat, e ka quajtur si një nga më të rëndësishmet qysh prej pavarësisë sa i përket administratës shtetërore.
“Nëse miratohet projektligji për zyrtarët Publikë njëherë e përgjithmonë goditet në esencë pavarësia, profesionalizimi dhe integriteti i zyrtarit civil, ndërsa te pagat është tepër me rëndësi të mos ketë gabime. Ky ligj të hyjë në fuqi dhe punëtorët e administratë shtetërore ta kenë pagën e dinjitetshme”, tha ai.
Që ta votojnë ligjin e pagave, Tahiri tha se i kanë dy qëndrime. I pari sipas tij, koeficienti duhet të jetë 129 euro si dhe i njëjti të hyjë në fuqi më 1 shkurt 2023.
Ndërkohë nëse Ligji për Zyrtarët Publik kalon në draftin aktual, Tahiri ka paralajmëruar se i njëjti do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Ligji për Zyrtarët Publikë nëse kalon drafti siç është gjithsesi që do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese meqë është e padrejtë të ndodhë një goditje kaq e madhe ndaj pavarësisë dhe integritetit të shërbimit civil. Sa i përket ligjit të pagave e kemi votuar me dy kushte 129 euro koeficienti e të hyjë në fuqi me 1 shkurt e të mos ketë ulje të pagës”, tha ai.























