Hoti: Të shterohen diskutimet për Ligjin e Pagave e për Zyrtarët Publikë
Valmira Saraçi/RTKlive
Të enjten e ardhshme në Kuvend do të diskutohet me procedurë të përshpejtuar dy Projektligje, ai për Pagat dhe për Zyrtarët Publikë, për të cilat afati i amendamenteve të propozuara është e hëna e 19 dhjetorit.
Për këtë ka reaguar ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
“Dy ligjet më të rëndësishme për administratën shtetërore të Republikës së Kosovës, “Ligji për pagat në sektorin publik” dhe “Ligji për zyrtarët publik”, po shqyrtohen në procedurë të përshpejtuar pa asnjë arsye”, ka shkruar ai.
Sipas deputetit të LDK-së, Ligji i Pagave i përcakton të ardhurat e rreth 85 mijë të punësuarve dhe familjeve të tyre, ndërkaq, ai i Zyrtarëve Publikë përcakton statusin e punësimit, të drejtat dhe karrierën e të gjithë zyrtarëve publik.
“Sipas vendimit të djeshëm të Kuvendit, afati për amendamente është deri të hënën më 19.12.2022, në orën 12:00. Nuk ka asnjë mundësi që për dy ditë të vikendit të shtjerrën diskutimet me grupet e interesit: me sindikatën e arsimit, të shëndetësisë, të shërbimit civil, të policisë dhe sindikatat e tjera”, ka shkruar ai.
Hoti e ka quajtur të pakuptimtë qasjen e shumicës parlamentare, derisa ka thënë se të njëjtat duhet të miratohen vetëm pas diskutimeve gjithëpërfshirëse dhe shteruese me të gjithë ata që ndikohen nga këto ligje.
“Nuk është e mjaftueshme që këto dy ligje të jenë në përputhje me Kushtetutën. Ato duhet të jenë në përputhje me parimet elementare të të drejtave të të punësuarve në sektorin publik, si dhe të dakorduara në parim me sindikatat që i përfaqësojnë ata të punësuar”, ka thënë tutje ai.
Për ish-kryeministrin, koha e mjaftueshme dhe e arsyeshme për diskutim publik të projektligjeve që shqyrtohen në Kuvend është parim elementar në demokracitë funksionale.
“Vetëm qeveritë autoritare miratojnë ligje pa dhënë mundësi që të shprehen atyre që ndikohen nga ato ligje”, ka përfunduar ai.























