Policia demanton mediet serbe: Nuk kemi arrestuar person tjetër në veri
M.Shefkiu/RTKlive
Policia e Kosovës deklaron se çdo veprim që ndërmerr në territorin e Kosovës është transparent dhe e njofton opinionin publik. Duke demantuar mediet serbe, Policia e Kosovës thotë se e mbanë vazhdimisht të informuar opinionin, duke përfshirë edhe arrestimet e personave të dyshuar, siç është rasti i mbrëmshëm i të dyshuarit S.T, mashkull kosovar serb, i dyshuar për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.
“Përmes këtyre njoftimeve zyrtare kemi për qëllim të mbajmë të informuar opinionin dhe mediat mbi realitetin dhe informatat zyrtare, dhe njëkohësisht të demantojmë spekulimet dhe dezinformatat e disa mediave (kryesisht serbe), të cilat në vazhdimësi në forma të ndryshme përmes spekulimeve dhe informatave jo zyrtare po tentojnë të destabilizojnë edhe më tej situatën si dhe të keq informojnë opinionin e gjerë”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast, Policia e Kosovës i dedikohet spekulimit të mediave serbe se “kinse Policia e Kosovës edhe sot ka arrestuar një person (ish policin Z.M,) në Mitrovicë Veri si dhe ka penguar punonjësit e elektrodistribucionit për të kryer riparime të një defekti në rrjetin elektrik”.
“Edhe një herë, demantojmë këto spekulime, duke sqaruar se nuk ka informacione zyrtare nga Policia e Kosovës për një arrestim të personit në fjalë, si dhe Policia e Kosovës nuk ka penguar dhe nuk pengon në asnjë rrethanë, asnjë institucion apo punonjës të cilët kryejnë detyrat zyrtare, përkundrazi në rastin konkret janë ndërmarr veprime në bashkëveprim me kompetentët për adresimin dhe sanimin e këtij problemi në rrjetin elektrik”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ky institucion inkurajon qytetarët dhe mediat që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës “në adresimin e kërkesave dhe konfirmimin e informatave zyrtare dhe mos të bien pre e dezinformatave të tilla”.























