Qytetarët të interesuar se si subvencionohen për faturat e energjisë|Video
Arlinda Sejda / RTK
Vendimi për subvencionimin e faturave të energjisë ka nisur të zbatohet nga ana e Ministrisë së Financave. Një pjesë e qytetarëve që i ka intervistuar RTK ende nuk kanë arritur ta kuptojnë mënyrën e subvencionimit.
Në kompaninë e Distribucionit - KEDS, thonë se në aplikacionin e lansuar nga ta, kjo është fare e lehtë. Ministri i Financave ka shkruar së fundmi se vetëm për tetor kanë përfituar 202 mijë konsumatorë.
Nga kompania KEDS e konfirmojnë për RTK-në, që sipas vendimit qeveritar, konsumatorët të cilët kursejnë energji do të subvencionohen me 5%.
“Të gjitha kalkulimet bëhen nga Ministria e Financave, ndërsa ne si kompani do t’i kryejmë obligimet tona. Se sa subvencionohen konsumatorët mund të shohin në aplikacionin e-KESCO, apo të informoheni direkt nga arkat”, ka thënë për RTK-në, Margarita Rashiti, zyrtare për media në KEDS.
Ndërkaq, Enver Sejdiu, qytetar ka thënë se ka dëgjuar për këtë subvencionim dje në televizion dhe sot ka qenë në KEDS. “Ata më thanë që të kanë dalë 18 euro. Unë s’kam pas borxh dhe tani e pashë që më kishin dal këto para si subvencion", ka thënë ai.
Edhe Selatin Vitia e vizitoi KEDS-in për t’u interesuar rreth subvencionimit. “Pikërisht për këtë çështje pyeta dhe ata më thanë se nëse ke shpenzuar më pak se sa në vitin e kaluar ke subvencion”, ka thënë ai.
Banorët që jetojnë nëpër fshatra e kanë më të lehtë kursimin e energjisë gjatë dimrit. Por, ka qytetarë të cilët kanë vendosur për alternativa të tjera për ngrohje.
"Ne e aplikojmë gjatë dimrit ngrohjen me dru, por edhe gatimin e në përgjithësi në amvisëri i bëjmë me dru, nuk harxhojmë energji hiq. Nuk kemi dëgjuar se si subvencionon qeveria, as kush përfiton", ka thënë një tjetër qytetar.
Subvencionimi i faturave të energjisë për ata që kursejnë më shumë sesa muaji i njëjtë i vitit të kaluar, ka filluar nga shtatori.























