Përfundon protesta e dhjetëra serbëve në afërsi të Jarinjës
B. Halimi/ RTKlive
(E plotësuar) Ka përfunduar protesta e dhjetëra serbëve në afërsi të pikës kufitare në Jarinje – në anën e territorit serb.
Këta protestues janë mbledhur pas thirrjeve të grupeve djathtise të afërta me grupet parmiliatare ruse, teksa gjatë disa orëve janë dëgjuar thirrje shoviniste.
Gjatë përleshjes me policinë serbe njëri nga protestuesit është arrestuar. Protestuesit kanë kërkuar lirimin e tij, por ai ka vazhduar të mbahet nga policia serbe. Shumë prej protestuesve janë parë duke konsumuar pije alkoolike, derisa nga videotransmetimi i drejtpërdrejt i kësaj proteste, nga të pranishmit janë dëgjuar biseda se i arrestuari ka qenë i dehur dhe i droguar.
Protestuesit janë udhëhequr nga Damjan Knezheviq, që është njeri i afërt me grupin paramilitar rus “Wagner”.
Përleshje mes protestuesve e policisë serbe në afërsi të Jarinjes
(E plotësuar) Policia e Kosovës vazhdon punën e saj në pikën kufitare në Jarinje në ofrimin e sigurisë dhe në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, teksa si përforcim atje kanë shkuar edhe trupat e KFOR-it, pas protestës së thirrur nga grupet djathtiste të serbëve në afërsi të kësaj pike kufitare.
Ndërkohë, protestuesit janë përleshur me policinë serbe, pasi kanë tentuar të vazhdojnë rrugën drejt pikës kufitare. Ata po udhëhiqen nga Damjan Knezheviq, që është njeri i afërt me grupin paramilitar rus “Wagner”, teksa përleshja erdhi pasi e kaluan kordonin e parë të policisë serbe, derisa më pas u ndaluan nga kordoni i dytë i policisë, e ku njëri prej protestuesve të dhunshëm u arrestua.
Kujtojmë se në pjesën e Kosovës te ky pikëkalim kufitar KFOR-i e ka shtuar prezencën dhe ka vendosur tela me gjemba.
Serbë të dehur protestojnë pranë kufirit me Kosovën
Trupat e KFOR-it janë vendosur në pikën kufitare në Jarinje, pasi nacionalistë serbë nga pjesë të ndryshme të Serbisë, Malit të Zi dhe Republikës Serbe të BeH-së janë mbledhur në afërësi të kësaj pike kufitare.
Grumbullimi i këtyre serbëve ka filluar në orën 13:00, derisa shihen duke konsumuar pije alkoolike dhe duke bërë thirrje kundër Kosovës dhe shqiptarëve.
Ata nuk janë lejuar të afrohen drejt pikës kufitare nga një kordon i policisë serbe. Kjo protestë është organizuar nga dega në Serbi e grupit famëkeq paramilitar rus Wagner si dhe grupe tjera djathtise, të afërta me Rusinë.
Në protestë po marrin pjesë edhe persona të maskuar, të cilët në duar mbajnë flamuj të Serbisë dhe pankarta të ndryshme, ndër të cilat veçohet ajo me mbishkrimin “Kurrë kufi, Kosova është Serbi”.
Po ashtu, këta protestues duke kënduar këngë shoveniste ia kanë vënë flakën edhe “Marrëveshjes së Brukselit”.

Ndërkohë, bandat kriminale serbe kanë vazhduar edhe dje me vendosjen e barrikadave të reja në rrugët alternative në veri.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë të shtunën se çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Ai ka thënë veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës, duhet të kthehet sa më shpejtë në normalitet.























