Mehaj: Kosova ka synim anëtarësimin në NATO
BKT
Foto/ RTKlive
Lajme

Mehaj: Kosova ka synim anëtarësimin në NATO

A.Bela / RTKlive

(E plotësuar, ora 10:30) Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje, ka folur për idenë që në Kosovë të ketë shërbim të obligueshëm ushtarak.

“Si fillim është mirë të kemi ligjet, pastaj ‘Edukata për siguri”, është mirë që fëmijët të mësohen se sa shumë gjak është derdhur për lirinë e Kosovës dhe ne të kemi këtë ushtri. Çdo hap tjetër bëhet me partnerët dhe aleatët tanë që të arrijmë synimet tona që është anëtarësimi i Kosovës në NATO. Ne po punojmë koncepte me shtetet e tjera që kanë ushtrinë e obligueshme”, tha Mehaj, duke iu përgjigjur deputetit të VV-së, Enver Dugolli. Sipas këtij të fundit, ka qenë premtim elektoral i VV-së, që Kosova të ketë shërbim të obligueshëm ushtarak.

Mehaj: Rritja e buxhetit për ushtrinë, më shumë siguri për qytetarët tanë

(E plotësuar, ora 10:20) Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka paraqitur objektivat e ministrisë për vitin 2022.

Ai ka thënë se buxheti i vitit 2022 ishte 102.3 milionë euro për ushtrinë, apo 35 % më e lartë se në vitin 2021. “Më shumë buxhet i ndarë për Ministrinë e Mbrojtëse, do të thotë më shumë siguri për qytetarët tanë, më shumë investime për gratë dhe burrat e ushtrisë që bartin uniformën e ushtrisë së Republikës sonë”, tha ai, raporton RTKlive.

Mehaj ka folur edhe për ndryshimet ligjore që janë bërë në fushën e mbrojtjes, duke përmendur edhe moshën për t'u bërë pjesë e FSK-së që është deri në 25 vjeç. Ai vlerësoi se një problem tjetër është edhe lufta hibride që është, sipas tij, kërcënimi më i madh i çdo shteti.

Për këtë vit, Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), iu kanë shtuar 840 ushtarë të rinj. Sa i përket pjesëmarrjes së grave në FSK, ajo është rritur. “Për momentin mbi 44 për qind është pjesëmarrja e grave, e nëse krahasohet me rajon jemi më mirë se të tjerët”, theksoi ai. Mehaj bëri me dije se do të rekrutohen edhe 612 ushtarakë të rinj aktiv, kurse 388 rezervë.

Anëtarët e Komisionit: Mefail Bajqinovci, Arbër Rexhaj, Enver Dugolli, Rashit Qalaj, Anton Quni, Fatmir Humolli e Erxhan Galushi, kërkuan  sqarime shtesë nga ministri Mehaj. Me theks të veçantë, ata kërkuan informata lidhur me vlerën e blerjes së armatimit, rastet e sukseseve të kadetëve, lidhur më çështjen e shërbimit të obligueshëm ushtarak, numrin e pjesëtarëve të FSK-së të cilët kanë lëshuar FSK-në, lidhur me çështjen e komuniteteve tjera në FSK, projektet kapitale, gradimet, etj. 

Një pjesë e këtij takimi vazhdoi i mbyllur për media.

Mehaj raporton në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, sot do të mbajë mbledhje.

Në këtë mbledhje do të raportojë Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, për raportin vjetor të punës për vitin 2022, raporton RTKlive.

Ndryshe ditë ma parë, Mehaj në konferencën e fundivitit me gazetarë tha se 2022 ishte vit i zhvillimit të fuqishëm të kapaciteteve ushtarake të FSK-së.

 


MË SHUME NGA Lajme