Kusari-Lila për takimet Kosovë-Serbi në Zvicër: Shumë zhurmë për asgjë
J.Musliu/RTKlive
“Takimet në Zvicër nuk janë sekrete dhe nuk janë negociata”. Kështu deklaroi shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke folur rreth një takimi që është mbajtur në Zvicër mes përfaqësuesve politik nga Kosova dhe Serbia.
Mediat gjermane e zvicerane kanë raportuar se takime larg syrit të mediave dhe opinionit, janë zhvilluar me ndërmjetësimin e Zvicrës, mes Kosovës e Serbisë.
Por Kusari-Lila deklaroi me një postim në rrjetin social Facebook, se ky takim është organizuar nga “Council for Inclusive Governance”, në mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës. Ajo tha se ky është takimi i dytë i këtij lloji.
“Takimet në procesin i cili njihet si “Procesi i Soloturnit” mbahen që nga viti 2015. Emri Soloturn, është emri i qytezës së vogël në Zvicër ku ka rastisur të mbahet takimi i parë dhe tjerët kanë vazhduar të mbahen aty. Takimet nuk janë sekrete dhe nuk janë negociata”, shkroi ndër të tjera Kusari-Lila.
Sipas saj, ato më shumë janë lehtësim i komunikimit të palëve në dialog.
“Takimet organizohen për të ndihmuar në dialog dhe mbahen sipas parimit të ‘Chatham House rules’. Titulli i publikuar nga gazeta zvicerane NZZ, “Takime Sekrete” është senzacional, ndërsa nuk ka asgjë senzacionale gjatë takimeve”, shkroi deputetja Kusari-Lila.
Sipas saj, nga Kosova, të gjitha partitë parlamemtare shqiptare dhe përfaqësuesit serbë janë pjesëmarrëse, pozitë dhe opozitë.
“Sa i përket diskutimit dhe konkluzave nga takimet, ato janë publike, të publikuara në webfaqen e CIG-ut, përfshirë edhe takimin i cili morri publicitet, ai i datës së 11-12 nëntorit!”, shkroi Kusari-Lila.























