Kurti: Serbia qëndron me rusët deri në fatalitet
BKT
Lajme

Kurti: Serbia qëndron me rusët deri në fatalitet

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti derisa foli para ambasadorëve në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve të Republikës, e cila po mbahet në Prishtinë, tha se qeveria, shoqëria, shteti e populli beson e pret e shumë nga ta.

Ai ka kërkuar nga diplomatët kosovar që shërbejnë në botë të tregojnë në vendet ku shërbejnë gjithë historinë e shtetit.

“Ju jeni media më speciale e shtetit të Kosovës dhe elementit të popullit tonë në botë. Ju dispononi shumë të drejta mbi të gjitha, përdorimin e aftësive tuaja. Duke qenë në një vend të huaj me imunitetin tuaj ju mund të takoni çdo element të përbërës të gjeopolitikë dhe eko-politikës së vendit pritës. Duhet të bëjmë betejë me detaje që të jemi në të përditshmen e tregut të ligjërimit të tyre, duhet ta fusim lëndën tonë në të vërtetën e tyre, prandaj na duhen punonjësit e kancelarive dhe instituteve të tyre , biznesmenët, anëtarët e shoqërisë civile dhe profesor universitetetesh”, u tha diplomatëve ai.

Kurti tha se Kosova ka një armik ekzistencial që bën shumë zhurmë, që përdor gjithnjë një pozicion hibrid në rendin historik dhe atë gjeopolitik.

“Beogradi luan me spektrin pro-serb dhe pro-jugosllav për të fituar nga ekstremet e vendeve perëndimore. Me të majtët ekstrem, Beogradi fiton me idenë e Jugosllavisë e me të djathtët ekstrem fiton me idenë e Serbisë, mbrojtëse e krishterimit. Në aspektin gjeopolitik ky kundërshtar i yni i madh i premton të gjithë perëndimoreve, por qëndron me rusët deri në fatalitet dhe luan me dyfishësinë e Kinës. Serbia nuk mund ta tradhtojë lehtë Rusinë, pa pësuar një transformim rrënjësor sepse ajo e sheh vetën si projekt të pushtimit sllav”, tha tutje ai.

Prandaj, ai ka kërkuar nga diplomatët që këto dy gjëra t’ua thonë me kujdes e durim perëndimorëve që i njohin e i takojnë.

“Duhet t’iu themi se në krye të Serbisë sot janë në postet më të larta të njëjti njerëz. Duhet të iu themi që ata që dje ishin kriminel lufte sot janë anëtarë kartelesh, se ndëshkimi i kriminelëve ishte përgjithësisht një flluskë që ka shpërthyer tashme pa u vënë re me vrasjen e njeriut i cili donte në një masë ta ndryshonte Serbinë, Gjingjiqin. Realiteti nuk është Shtëpia e Verdhë, por Gjingjiqi i vrarë. Nuk janë serbët të dhunuar në Kosovë nga shteti i Kosovës, por vetë Oliver Ivaniviqi i vrarë nga strukturat kriminale serbe. Kriminelët e tyre të liruar para kohe, po arrestohen si kriminel kartelesh droge në Evropë”, shtoi kreu qeveritar.

Sipas tij, janë shumë të rëndësishme statistikat mund të prodhohet nga MPJD-ja, një dokument i cili u shpërndahet mediave, shoqërisë civile dhe njerëzve me ndikim.

“Në ato statistika, duhet të tregohet numri i serbëve që janë ndëshkuar për krimet që kanë kryer, numri më pak se modest. Duhet të iu flasim atyre për shtetin e Kosovës. Arritjet tona për luftën ndaj korrupsionit e lirinë e mediave, bashkë me rritjen tonë mbresëlënëse ekonomike”, tha ai.

Kurti, kërkoi nga diplomatët që të mos ngurrojnë të dërgojnë nota proteste kur bëhet fjalë për mashtrime në lajmet atje.

“Nëse ata shohin që ne i kundërshtojmë kur fabrikojnë lajme të rreme, ata do të na respektojnë e do të kërkojnë lidhje të rregullta me institucionet tona, më së pari me ju. Duhet t’iu flasim për Luginën e Sangjakun e t’iu tregojmë se nuk jemi ne që bëjmë dhunë mbi serbët, por Beogradi e aq më tepër t’iu dërgojmë informacion mbi spastrimin etnik që po ndodhë në Presheve, Medvegjë e Bujanovc me zhdukjen e adresave”.

Tutje, Kurti kërkoi nga ta që tu tregojnë të gjithëve për frikën e shantazhin që ndodhen serbët në Kosovë, pikërisht nga strukturat ilegale të Beogradit të shndërruara siç tha së fundi në banda kriminale.

Osmani: Serbia e ka bllokuar dialogun për marrëveshjen finale

Politika e jashtme gjithmonë duhet të  jetë  në interes të shtetit, në interes të qytetarëve të saj dhe e bazuar në promovimin e vlerave euroatlantike, ndërtimin e partneritetit me shtete nga kontinente të ndryshme dhe në thellimin e aleancave me partnerët tanë tradicional strategjik. Kështu ka theksuar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në ceremoninë hapëse të Konferencës Vjetore të Ambasadorëve të Republikës, e cila po mbahet në Prishtinë.

Presidentja ka theksuar se konferenca të tilla vjetore të ambasadorëve shërbejnë për të pasur diskutim të hapur lidhur me politikën e jashtme si dhe për mjedisin rajonal, global e kontinental në të cilin Kosova gjendet si shtet, të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohet politika e shërbimi i jashtëm si dhe  për të përçuar tek diplomatët mesazhet lidhur me temat kyçe të politikës së jashtme.

“Andaj kjo konferencë duhet të na mundësojë përmes diskutimeve dhe analizave të arrijmë tek i njëjti kuptim i mjedisit që ndikon në politikën tonë të jashtme, qartësim të synimeve strategjike të kësaj politike, si dhe të bëjmë identifikimin e fushave dhe praktikave më të mira me të cilat duhet të përmirësohemi. Ju si diplomat të Republikës së Kosovës jeni pasqyra dhe dritarja e Kosovës jashtë vendit”, ka theksuar Osmani.

Tutje, presidentja u ka thënë ambasadorëve se ata në njërën anë me veprimet e tyre duhet të pasqyrojnë vlerat themeltare të Republikës së Kosovës të lidhura me demokracinë, diversitetin etnik e kulturor, shpirtin ndërmarrës e inovativ të qytetarëve, e në anën tjetër të jenë  dritarja nëpërmjet së cilës komunikojnë e ndërtojnë ura bashkëpunimi me institucione e organizata në vendet ku punojnë e shërbejnë si shtëpi e Kosovës edhe për mërgatën.

“Andaj ju kërkoj që të shtoni përpjekjet bashkërisht me ne si dhe angazhimin tuaj që Kosova të ketë sa më shumë miq e sa më shumë partner në arenën ndërkombëtare si dhe të komunikoni e bashkëpunoni edhe më afër me zyrën e presidentes dhe të gjitha institucionet tjera drejtë realizimit të synimeve të përbashkëta për një Kosovë më të fortë”, ka nënvizuar e para e shtetit.

Ajo tutje ka inkurajuar diplomatët e Kosovës që gjatë paneleve e diskutimeve të ndryshme të jenë edhe vetëkritikë për të arriturat dhe sfidat, pasi siç tha, kjo qasje u ndihmon të përmirësohen e të performojnë shumë më mirë si institucione në shërbim  të interesave shtetërore e gjithë qytetarëve.

“Si udhëheqëse e politikës së jashtme vazhdimisht kam artikuluar objektivat strategjike të Kosovës në politikën e jashtme, të cilat ndër të tjera përfshijnë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë, përfshirë edhe synimin për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, avancimin e procesit të integrimit në struktura euro-atlantike, promovimin e marrëdhënieve të mira me shtete anë e kënd botës, të cilat ndajnë vlera të njëjta me ne, si dhe promovimin e interesave ekonomike të vendit”, ka potencuar e para e Republikës.

Lidhur me mjedisin me të cilin vepron politika e jashtme, presidentja ka nënvizuar se që gjatë vitit 2022 Kosova ishte e sfiduar në katër drejtime.

E para, sipas presidentes ishte se Serbia vazhdoi me veprime aktive kundër pozitës  ndërkombëtare të Kosovës nëpërmjet kampanjës korruptive siç tha, të bllokimit të njohjeve të reja dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.

“Këto veprime të Serbisë i kemi luftuar në bashkëpunim me shtetet aleate dhe kemi ndërmarr hapa konkret drejtë krijimit të kanaleve të komunikimit me shtete jo njohëse dhe këtë vit siç e dini kemi paraqitur edhe kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe po ashtu aplikimin për anëtarësim në BE. Megjithatë, si politikë e jashtme duhet të shumëfishojmë edhe më tutje përpjekjet tona të përbashkëta për të ndalur ndikimin e Serbisë tek shtetet tjera sidomos duke e shfrytëzuar partneritetin tonë të afërt me shtete mike që e kemi në secilin kontinent”, është shprehur Osmani.

Sfida e dytë sipas presidentes ka qenë fakti që Serbia ka ndërmarr veprime kundër rendit kushtetues, duke cytur serbët në veri t’i braktisin institucionet e Kosovës nëpërmjet kërcënimeve, detyrimeve sulmeve, por edhe joshjeve në disa raste.

“Këto veprime synojnë destabilizimin e vendit dhe krijimin e vakumit institucional në veri si prelud për atë që Serbia e dëshiron, pra pretendimet e saj territoriale në raport me Kosovën. Një gjë e tillë natyrisht që kurrë nuk do të lejohet dhe vetëm sa do të shtohen veprimet tona për të vendosur sundim të ligjit në secilën pjesë, në secilin cep të vendit tonë”, ka thënë ajo.

Në raport me serbët që janë qytetarë të republikës sonë, tha tutje presidentja, institucionet do të jenë çdo herë mbështetëse të nismave socio-ekonomike me qëllim të integrimit të tyre të plotë në shoqërinë multietnike të Republikës së Kosovës.

Si sfidë të tretë, e para e shtetit, ka përmendur minimin dhe bllokimin e procesit të dialogut nga veprimet obstruksioniste të regjimit në Serbi, duke pamundësuar progresin dhe arritjen e marrëveshjeve në shumë fronte, përfshirë edhe bllokimin e marrëveshjes për personat e zhdukur me dhunë, mos implementimin e marrëveshjes në fushën e energjisë e marrëveshjeve të tjera që u arritën gjatë muajve të fundit si dhe duke e bllokuar diskutimin për dokumentin e propozuar nga ana e Gjermanisë e Francës dhe i mbështetur nga SHBA.

“Përkundër këtyre sfidave, Kosova ka qenë palë konstruktive dhe e  angazhuar në dialog duke ndjekur parime të qarta. Marrëveshja finale duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë dhe duhet të respektojë sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe funksionalitetin institucional të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Osmani.

Si sfidë të katërt ajo ka përmendur luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, që sipas presidentes, përveç pasojave që ka sjellë në sigurinë evropiane duke krijuar ndarjen e qartë mes shteteve në boshtin euroatlantik kundër atij rus, ka aktualizuar rëndësinë e NATO-s, krizën e inflacionit, energjisë dhe furnizimit me ushqim, si dhe ka ofruar mundësi që në politikën e jashtme Kosova të shfaqë vlerat euro-atlantike e të afrohet më tej me aleatët.

“Po ashtu, sa i përket kontekstit ndërkombëtar, politika jonë e jashtme sikurse e vendeve tjera është ndikuar nga ndryshimet në ekonominë globale dhe kërcënimet hibride si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe veprimeve dashakeqe të shteteve si Kina e Irani apo akterëve jo shtetëror që po sfidojnë rendin ndërkombëtar. Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, mjedisi ndërkombëtar në të cilin veprojnë shtetet po bëhet edhe më kompleks më i paparashikueshëm dhe po i nënshtrohet ndryshimeve të pandalshme. Andaj një mjedis i sigurt rajonal dhe global kërkon bashkëpunim ndërkombëtar ndërmjet të gjitha shteteve, pasi që problemet qofshin ato rajonale qofshin globale kërkojnë zgjidhje të bazuar në partneritet e reciprocitet”, ka thënë tutje Osmani.

Duke marr për bazë këto zhvillime, presidentja ka thënë se tashmë është shndërruar në domosdoshmëri shtimi i kapaciteteve të sigurisë përfshirë të atyre të sigurisë kibernetike, pasi “që lufta hibride dhe kërcënimet jo tradicionale të sigurisë vazhdojnë të sfidojnë shtete anë e kënd globit”.

Gërvalla: Thellimi i partneriteteve me aleatët, mision i diplomacisë sonë

Për herë të parë që nga viti 2018, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka mbledhur shefat e misioneve diplomatike në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve, ku po marrin pjesë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Në hapje të kësaj konference, ministrja Donika Gërvalla ka thënë se takimi vjetor me trupën diplomatike të Kosovës është një mundësi e mirë për diskutuar mbi sfidat dhe të arriturat, prioritetet dhe rolin që luan diplomacia e Kosovës në mbrojtjen e interesave të shtetit në rrafshin ndërkombëtar.

“Sonte është një natë që i paraprinë 3 ditëve të punës, gjatë të cilave do të bisedojmë gjerë e gjatë me ambasadorët rreth politikës së jashtme, ndryshimeve që ka në ndodhur në vendin tonë, por edhe në shërbimin e jashtëm. Do të bisedojmë rreth misionit, i cili është një privilegj, ndoshta më i madhi, në këtë republikë të jesh ambasador i këtij vendi e të përfaqësosh interesat e tij. Do të bisedojmë gjerë e gjatë edhe për qasjen e re që e ka Kosova ndaj mërgatës së saj, përfshirjes së saj intensive në të gjitha zhvillimet shoqërore, politike dhe ekonomike të vendit”, ka theksuar Gërvalla.

Ajo tutje ka thënë se mirëmbajtja dhe thellimi i partneriteteve strategjike me aleatët dhe mbështetësit e shtetit të Kosovës, si dhe promovimi aktiv dhe produktiv i Kosovës në të gjitha forumet, mekanizmat dhe institucionet ndërkombëtare është mision i diplomacisë kosovare.

 


MË SHUME NGA Lajme