Haziri: Dokumenti i ri ka pjesë që Kosova nuk mund t’i përballojë
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Nënkryetari LDK-së, Lutfi Haziri, në një intervistë për emisionin "Lajmet e fundit" në RTK, derisa ka folur për planin evropian të njohur si franko-gjerman tha se në dokumentin e ri janë përfshirë edhe komentet e palëve të cilat sipas tij tash shkronjë për shkronjë duhet të negociohen, sepse siç tha ai dokumenti si i tillë nuk mund të kalojë lehtë sepse ka pjesë të dhimbshme që Kosova nuk mund t’i përballojë as me kompromise.
Numri dy i LDK-së opozitare tha gjithashtu se ky dokument ka pjesë që janë vlera të afirmuara dhe Kosovës i japin mundësi të mëdha në të ardhmen.
“Nuk është ndërhyrje, dokumenti i ri ka në vete vetëm komentet e palëve dhe është plotësuar me komentet palëve që tash shkronjë për shkronjë duhet ta negociojnë sepse dokumenti i tillë nuk mund të kalojë lehtë sepse ka pjesë të dhimbshme që Kosova nuk mund t’i përballojë as me kompromise, ka pjesë që janë vlera të afirmuara dhe Kosovës i japin mundësi të mëdha në të ardhmen”, tha Haziri.
Sipas tij, ky dokument në fillim është kundërshtuar nga kryeministri Kurti i cili ka pasur hezitime.
“E ka kundërshtuar fillimisht dokumentin. Zëvendëskryeministri i tij ka dalë dhe ka thënë “dokument më i afërt me Serbinë se me ne”, dhe ai është autoritet që përfaqëson mendimin e Qeverisë dhe kryeministrit, së paku për dialog ai është më i informuar, më shumë se secili anëtar i qeverisë”, shtoi Haziri.
Sipas tij, deri tash nuk ka pasur konsensus të plotë për dialogun.
“Ne jemi palë që po e ndihmojmë po e lehtësojmë dhe me angazhimin tonë edhe në Kuvend po e mbështesim plotësisht dialogun. Është në shpatullat e Qeverisë që ata të organizojnë një format të rregullt të dialogut që partitë e opozitës të jenë të informuara e pjesëmarrëse në këtë organizëm”, tha ai.
Sipas Hazirit, për herë të parë ka një marrëveshje me Twitter të konfirmuar. “Marrëveshja për ID është konfirmuar me Twitter. Nuk kemi procesverbal as transkript që i kërkonte më herët kryeministri për t’i lexuar. Asnjë marrëveshje nuk e ka realizuar kjo Qeveri, ka zbatuar marrëveshje të kaluara”.
Tutje, nënkryetari LDK-së tha se aktualisht ka një ambient të ri që është i favorshëm për kryeministrin Kurti.
“Nuk ka parti anti- dialog, nuk ka zë anti- dialog. Krejt çka duhet të bëjë tash është të ndërtojë një konsensus për koncept-dokumentin e ri që po qarkullon që do të jetë bazë kryesore për negocim dhe ky konsensus nuk është arritur sepse nuk është diskutuar dokumenti në tërësi. Dokumenti është ndarë me ne, e kemi parë në lexim të shpejtë dhe si i tillë ka mbetur aty, për të marrë mbështetjen për atë dokument duhet në Kuvend të organizohet konsensus”, tha ai.
Ndërkohë, Haziri sërish e ka quajtur lajm të rrejshëm atë për takime sekrete në Zvicër mes politikanëve nga Kosova e Serbia.
“Sepse formati i tillë i takimeve që mbështetë Qeveria zvicerane, respektivisht Ministria e tyre e Punëve të Jashtme është që nga viti 2015”, tha ai duke treguar s enë takime të tilla diskutohen çështje që janë në linjën e Brukselit.
“Ka pasur takime edhe në Prishtinë, Tiranë edhe Selanik, Stamboll e shumë vende të tjera, por që është formati i njëjtë”, vazhdoi ai.
Sipas tij, nuk ka të bëjë me asgjë me të fshehtën, megjithatë tha se nuk lejohet të tregohet se çka diskutohet brenda nga të tjerët, por vetëm nga individi personalisht.
“Ne kemi dalë me none-paper dokument që ka rekomanduar politika që të dilet nga kriza sepse është mbajtur një javë pas bojkotit të serbëve ndaj institucioneve”.
Megjithatë, tha se takimi nuk ishte si rezultat i bojkotit të institucioneve nga serbët, por ishte i planifikuar më herët, por që ndodhi zhvillimi i madh i bojkotit pikërisht atë kohë.
“Angazhimi ka qenë që të normalizohet gjendja, që të shtensionohet situata, që palët duhet të angazhohen në Bruksel në negocim të çështjeve që largojnë tensione dhe që shkarkojnë tensione në bisedime, sepse duhet të arrihet një marrëveshje me përpjekjen e palëve dhe arrihet vetëm përmes negociatorëve kryesor”, tha ai.
Ka treguar se si nënkryetar i LDK-së e ka autorizimin e kryetarit dhe Kryesisë të mbulojë çështjet e dialogut dhe bashkëpunimit regjional.
Haziri, është solidarizuar me policinë kufitare dhe njësitë patrulluese që tha se janë të vetmet institucione që po veprojnë sot në 17 për qind të territorit të Republikës.
“Sepse u bënë 10 ditë që ata janë në mbrojtje të institucioneve, territorit, sovranitetit e ligjshmërisë, përkundër barrikadave që gjenden”.
Sipas tij, qeveria ka rënë në kurthin që e ka ngritur Serbia, sepse siç tha ai sikur zgjidhja e problemit të veriut të ishte problem i lehtë atëherë do të ishte zgjidhur prej 12 vjetësh.























