Analistët të ndarë për mosdërgimin e planit franko-gjerman në Kuvend
BKT
Lajme

Analistët të ndarë për mosdërgimin e planit franko-gjerman në Kuvend

Pajtim Çuni / Radio Kosova

Propozimi franko-gjerman, ende nuk është shqyrtuar në Kuvend të Kosovës. Nga Qeveria, nuk kanë treguar se kur mund ta dërgojnë këtë propozim për shqyrtim , ndërsa njohës të procesit të dialogut kanë mendime të ndryshme nëse është koha e duhur që propozimi franko-gjerman të shqyrtohet në Kuvend.

Ekzistimi i një propozimi franko-gjerman, për dialogun Kosovë-Serbi dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, është pranuar prej kohësh nga krerët e shtetit. Pak detaje të këtij plani janë të ditura për publikun. I njëjti akoma nuk është dërguar për diskutim në Kuvend.

Radio Kosova ka pyetur Zyrën e Kryeministrit se kur planifikon që propozimin franko-gjerman ta dërgojë për diskutim në Kuvendin e Kosovës dhe pse nuk ka ndodhë deri më tani? Por, deri në përgatitjen e këtij artikulli, nga kryeministria nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, analisti Artan Muhaxhiri, vlerëson se ekzekutivi duhet të jetë transparent sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, prandaj, ai thotë se plani franko-gjerman duhet të dërgohet për shqyrtim në kuvend.

 “Qeveria e ka obligim shtetëror që të përgatis një pozicion të vetin në raport me planin franko-gjerman dhe atë ta sjellë në kuvend. Pra, të diskutohet me deputetë edhe të opozitës edhe të pakicave, që të arrihet një pajtueshmëri maksimale, në raport me  këtë plan dhe pastaj me këtë 'amin' të shkohet edhe në Bruksel”, tha ai.

Politologia Arta Tahir-Beqa, thotë se në diplomaci shpesh kërkohet nga palët që disa gjëra mos të bëhen publike shumë herët. Mbi këtë bazë, ajo arsyeton Qeverinë për mos dërgimin e planit franko-gjerman për shqyrtim në kuvend.

 “Derisa plani nuk është final dhe nuk është në një fazë finale, kur edhe do të duhej miratimi nga legjislativi, apo ratifikimi si marrëveshje. Mendoj se mosdhënia e informacioneve të detajuara, besoj se nuk mund të paraqitet si diçka jo transparente. Por, përkundrazi, besoj se kjo është një metodë për të ruajtur kredibilitetin dhe konfidencialitetin e këtyre bisedimeve”, tha ajo. 

Përkundër asaj se pak detaje janë publike, analistët Artan Muhaxhiri dhe Arta Tahir-Beqa konsiderojnë se plani franko-gjerman mund të jetë në  favor të Kosovës, e këtë e ndërlidhin edhe me reagimin e Beogradit zyrtar dhe përpjekjet për përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme