Admirali i NATO-s: Rusia, rol jo konstruktiv në Ballkanin Perëndimor
BKT
Lajme

Admirali i NATO-s: Rusia, rol jo konstruktiv në Ballkanin Perëndimor

REL

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali Stuart Munsch, tha se do të vazhdojë partneritetin afatgjatë me Serbinë, dhe shtoi se marrëdhëniet e forta mes dy palëve janë të mundshme edhe pa hyrjen e Serbisë në aleancën ushtarake.

Në një intervistë për një agjenci të lajmeve, në Serbi, admirali tha gjithashtu se NATO i bën thirrje Rusisë që të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor, por tha se "për fat të keq, ajo rregullisht bën pikërisht të kundërtën".

Munch, i cili do të marrë pjesë sot në ceremoninë e dorëzimit të shefit të Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd, nuk ka dashur të komentojë qëndrimin e Beogradit ndaj Moskës, pra refuzimin e saj për të vendosur sanksione.

“Në nivelin tim, në nivelin e koordinimit të marrëdhënieve ushtarake ndërmjet NATO-s dhe Serbisë, mendoj se lufta në Ukrainë nuk ka asnjë pasojë negative në aftësinë tonë për të komunikuar dhe bashkëpunuar. Nuk do të komentoj vendimet politike të Serbisë, por do themi se mirëpresim mbështetjen e Serbisë për dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënojnë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”, tha ai.

Manch, i cili takoi ndaras të martën presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, dhe ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiç, tha se përfaqësuesit e NATO-s "shohin rregullisht aktivitete hakerimi, dezinformim, frikësim dhe aktivitete të tjera destabilizuese" të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

"Vitin e kaluar, Rusia dhe Kina punuan së bashku në OKB për të minuar qëllimet e komunitetit ndërkombëtar për të zgjeruar misionin e Bashkimit Evropian Altea (në Bosnje dhe Hercegovinë). Ky është vetëm një shembull tjetër i ndikimit gjithnjë e më të dëmshëm të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

Manch tha se Putini "ka bërë gabime të mëdha strategjike" dhe shtoi se ai "nënvlerësoi plotësisht vendosmërinë e popullit ukrainas për të mbrojtur vendin, shtëpitë dhe familjet e tyre", si dhe unitetin e NATO-s dhe partnerëve të saj.

Ai tha se NATO "respekton plotësisht të drejtën sovrane të secilit vend për të bërë aranzhimet e veta politike dhe të sigurisë", dhe se i bën thirrje Rusisë të bëjë të njëjtën gjë sepse është "parim themelor i sigurisë evropiane për të cilin janë përkushtuar të gjithë, përfshirë Moskën.

"Ne mirëpresim partneritetin tonë të ngushtë me Serbinë. Ne mund të kemi marrëdhënie të forta me partnerët tanë, siç kemi me Austrinë dhe Zvicrën, pa u anëtarësuar ata. Ne e respektojmë plotësisht vendimin e tyre për të mos u anëtarësuar në NATO, ashtu siç respektojmë vendimet e të tjerëve për t’u bashkohuar me ne”, tha ai.

Ai shtoi se NATO beson se një partneritet afatgjatë me Serbinë, i bazuar në dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik, kontribuon në forcimin e marrëdhënieve reciproke të dobishme midis dy palëve, si dhe në forcimin e stabilitetit në të gjithë rajonin.

Munch tha se Zyra Ndërlidhëse Ushtarake e NATO-s në Beograd është "e përkushtuar ndaj promovimit dhe zgjerimit" të partneritetit të NATO-s me Serbinë.

"Për shembull, ne kemi punuar së bashku për të qenë më të përgatitur për emergjenca të tilla si përmbytjet dhe zjarret në pyje. Ne po ndihmojmë gjithashtu Serbinë që të reformojë forcat dhe institucionet e saj të sigurisë. NATO trajnon ushtarët serbë për misionet paqeruajtëse dhe ne kemi investuar miliona euro për të ndihmuar Serbinë të shkatërrojë qindra ton municione të vjetruara”, tha ai ndër të tjera, raporton REL.

 

 


MË SHUME NGA Lajme