Berisha i AAK-së: Barrikadat të hiqen nga Policia e KFOR-i
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka thënë se barrikadat e vendosura në veri të vendit duhet të hiqen bashkërisht nga Policia e Kosovës dhe KFOR-i. Sipas kryetarit të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, gjendja në veriun e Kosovës është shqetësuese dhe kërkon reagim serioz të institucioneve përgjegjëse të shtetit.
“Nuk është dashur që për çështje teknike të kthehet veriu në problem të sigurisë. Por, kjo situatë nuk bën të pajtohemi e të mbetet status-quo si është”, tha ai.
Berisha, në një konferencë për media nga holli i Kuvendit të Kosovës tha se popullin dhe Policinë e Kosovës nuk e trembin bandat e manovrimet që po bëhen në atë pjesë të Kosovës.
“Për shumë vite kemi punuar për paqe dhe siguri në gjithë Kosovën. Paaftësia e qeverisë dhe e këtij pushteti e kanë krijuar një gjendje të tensionimit të panevojshëm, me tema teknike që i kanë kthyer në probleme të sigurisë. Qytetarët që po kyçen në veprime të kundërligjshme kryengritëse e kundër interesit qytetar i them mos lejoni të keqpërdoreni nga politika. Po ashtu, i thërras për qetësi, për kujdes, por nuk duhet të pranojmë gjendje që është krijuar tash”, tha ai.
Kjo e martë ka shënuar edhe ditën e 11 të bllokimit të veriut. Në atë pjesë të Republikës janë vendosur nëntë barrikada e si pasojë e tyre vazhdojnë të jenë të mbyllura për qarkullim dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me fqinjin verior, Serbinë, në Jarinje dhe Bërnjak.























