Haradinaj kërkon ndihmën e shteteve mike për heqjen e barrikadave në veri
M.Shefkiu/RTKlive.com
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë (AAK), Ramush Haradinaj kërkoi nga përfaqësuesit vendorë e ndërkombëtarë që të ndikojnë në heqjen e barrikadave në veri. Sipas ish-kryeministrit kosovar, nuk ka një tjetër rast në kontinentin evropian, përjashtuar agresionin rus në Ukrainë, ku pengohet lëvizja e njerëzve pos në veri të Kosovës.
“Serbët lokalë dhe udhëheqësit e tyre politikë, duhet ta kuptojnë se barrikadat më së shumti po u shkaktojnë dëm atyre”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.
Kosova, sipas tij, ka pranuar që serbët t’i trajtojë si qytetarë të barabartë, dhe në plot raste, siç thotë kryetari i AAK-së, me të drejta edhe më të avancuara.
“Institucionet qendrore kanë hapur të gjitha dyert për integrimin e qytetarëve serbë, duke garantuar sigurinë për ta, duke marrë përsipër obligime të mëdha financiare, duke garantuar përfaqësimin e tyre politik madje edhe duke u dhënë të drejtën e vetos për plot çështje që kanë të bëjnë me interesat e tyre, kjo qoftë edhe duke e diskriminuar popullatën shumicë”, ka deklaruar Haradinaj.
Kryetari i AAK-së thotë se nuk ka asnjë rast tjetër ku qytetarët e një shteti për më shumë se 20 vjet nuk e paguajnë rrymën e shpenzuar, por këtë e bën shteti në emër të tyre, siç është rasti i Kosovës.
“Prandaj, serbët në veri nuk kanë arsye të ndjehen as të rrezikuar as të nëpërkëmbur, e aq më pak kanë nevojë ta bllokojnë veten e veriun”, deklaroi Haradinaj duke i ftuar përfaqësuesit politikë serbë, intelektualët e gjithë njerëzit e arsyeshëm, kudo ku janë, në Kosovë apo në Serbi, që të ushtrojnë gjithë ndikimin e tyre për heqjen e barrikadave.
“Po ashtu, u bëj thirrje të gjitha vendeve mike të Kosovës apo të Serbisë, NATO-s e KFORIT, që të ndihmojnë në heqjen sa më parë të barrikadave, kësaj njolle të fundit në Evropë. T’i kalojmë festat e fundvitit si evropianë e të civilizuar, në qetësinë familjare e jo në barrikada e me urrejtje për njëri-tjetrin”, ka deklaruar Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës.























