Benzema mund të kthehet te Franca, por me një kusht
BKT
Sport

Benzema mund të kthehet te Franca, por me një kusht

rtsh

“Topi i Artë”, Karim Benzema humbi Kupën e Botës në Katar për shkak të një dëmtimi muskulor në prag të turneut.

Të hënën ai njoftoi lamtumirën me kombëtaren, por nga Franca flasin për rimendimin e tij të mundshëm në rast se Zinedize Zidane zë vendin e Didier Deschamps në krye të transalpinëve.

Marrëdhënia e Benzema me kombëtaren franceze është një torturë prej kohësh tashmë dhe problemet datojnë shumë vite më parë, kur doli çështja Valbuena(2015), për të cilën Karim u ndëshkua me përjashtim për shumë vite nga skuadra.

Gjatë këtij Botërori, Benzema mund të ishte sërish në dispozicion të Deschamps për fazat finale të turneut, por në fund sulmuesi i Real Madridit qëndroi në shtëpi, i pa thirrur nga trajneri transalpin as për në finale.

Marrëdhëniet mes të dyve janë të tensionuara dhe sipas faqes franceze Foot Mercato, Topi i Artë do të mendojë për një rikthim në kombëtare vetëm nëse Deschamps zëvendësohet nga Zinedine Zidane në krye të Bleus.

Megjithatë, nuk është sekret që edhe presidenti i federatës franceze Noel Le Graet dhe presidenti francez Emmanuel Macron do të dëshironin të vazhdonin ta shihnin Deschamps në krye të ekipit kombëtar.

Ish-mesfushori i Juventusit është trajner i Francës prej 10 vitesh tashmë dhe kontrata e tij skadon më 31 dhjetor. Ditët e fundit, Equipe kishte nënvizuar hezitimet e trajnerit aktual, i cili do të pranonte të qëndronte në detyrë vetëm nëse i paraqitej një projekt afatgjatë, të paktën deri në Botërorin e ardhshëm të vitit 2026.

Në rast se Deschamps nuk e pranon rolin dhe vendos të mos rinovojë kontratën, Zidane është numri 1 për ta zëvendësuar. Në fakt, emri i tij është përhapur prej shumë vitesh në qarqet federale, që nga lamtumira e parë me Real Madrid.

Zidane dhe Benzema e njohin njëri-tjetrin mirë, me Zizou që e ka trajnuar Benzema gjatë gjithë viteve të tij në Santiago Bernabeu. Prandaj nga Franca ata mendojnë se ndikimi i Zidane mund ta bindë Benzeman të tërhiqet.

Nga faqet e AS, Toni Kroos, mesfushori aktual i Madridit, ka folur edhe për mundësinë që ta shohë ish-trajnerin e tij Zidane në krye të Francës:

"Unë mendoj se Zizou do të ishte jo vetëm një pasardhës i mirë, por edhe pasardhësi më i mirë i mundshëm. Pyetja kryesore është: çfarë dëshiron Didier Deschamps? Unë do të thoja se ka një shans 70/30 që Zizou të bëhet trajneri i ri i Francës. Mendoj se ai me të vërtetë dëshiron t'i kthehet stërvitjes”.