Shteti gjerman furnizon me pajisje të reja deminerët e FSK-së
BKT
Foto: FSK
Lajme

Shteti gjerman furnizon me pajisje të reja deminerët e FSK-së

M.Shefkiu/RTKlive

Republika e Gjermanisë ka ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës me pajise të deminimit. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se miqësia me Republikën Federale të Gjermanisë, vazhdon të thellohet me bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet të të dyja shteteve.

“Kjo dëshmi është ndihma e vazhdueshme që pranojmë nga ky shtet, ashtu siç edhe sot pranuam donacionin me pajisje të deminimit nga ana e shefit të Mbrojtjes të Ushtrisë Gjermane, gjeneral Eberhard Zorn”, deklaroi Mehaj.

Në takim me shefin Mbrojtjes, Mehaj tha se kanë biseduar rreth fushave specifike ku mund të rritet bashkëpunimi, me theks të veçantë në logjistikë, në fushën e mjekësisë, dhe trajnime të përbashkët që do shërbejnë për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të ushtarakëve tanë.

Ministri Mehaj tha se gjeneralin Zorn e ka njoftuar rreth aktiviteteve që FSK është duke zhvilluar për sa i përket përgatitjeve për Defender '23, si shtet nikoqir i këtij ushtrimi fushor, por gjithashtu dhe për gatishmërinë, siç tha ai, që ka shprehur për trajnimet e ushtarakëve ukrainas.

“Mes të tjerash gjeneralit i ofrova bashkëpunim në fushën e shkëmbimit të informacioneve, dhe në zhvillimin e ushtrimeve të përbashkëta në terrenet tashmë të shpronësuara në hapësirën e ish-Aeroportit të Gjakovës, në Cernushë dhe Babaj të Bokës”, thuhet në njoftimin e Mehajt në Facbook.

Ministri i Mbrojtjes thotë se një herë ka shprehur rëndësinë e investimit të kompanive gjermane në industrinë e mbrojtjes në Republikën e Kosovës. “Synimin që ne si ushtri dhe si shtet kemi për tu anëtarësuar në NATO dhe BE. Puna dhe rezultat konkrete bashkojnë shtetet dhe kombet”, ka shkruar ministri Mehaj.


MË SHUME NGA Lajme