Ramadani: Dallimi në paga ishte 1 me 20, do të jetë 1 me 4.78 |Video
BKT
Lajme

Ramadani: Dallimi në paga ishte 1 me 20, do të jetë 1 me 4.78 |Video

V. Thaçi / RTKlive

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës nesër në seancën e radhës do të votojë Projektligjin për Paga dhe atë për Zyrtarët Publikë. Lidhur me këtë temë, në emisionin “RTK Prime”, flasin, deputeti Valon Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Shkëmb Manaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Valon Ramadani deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se Ligji për Zyrtarët Publikë dhe ai për Paga janë dy ligje shumë të rëndësishme për administratën tonë publike,

“Nesër në ora 10:00 do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe ky ligj ishte i shumëkërkuar dhe shumëdiskutuar. Me miratimin e këtij ligji, vendit tonë do t'i shtohen mundësi të shumta për hapje e konkurseve të administratës, si dhe mundësi për të gjithë ata profesionistë që vijnë nga sektori privat nga studimet, që të kenë mundësi të angazhohen në administratën tonë”, tha ai.

Sipas Ramadanit edhe Ligji për Pagat është një çështje që është shumë me rëndësi. Ky ligj sipas tij e zvogëlon pabarazinë në paga, nga 1 me 20 në 1 me 4.78.

“Sot janë mbi 60 ligje dhe aktet në fuqi, që e rregullojnë këtë çështje në Kosovë. Me ligjin e ri  për paga, do të rregullohet çështja e të ardhurave të mbi 87 mijë punonjësve, që marrin paga nga shteti. Sot pabarazia është shumë e madhe, një 1 me 20, kurse me ligjin e ri që pritet të miratohet, dallimi do të jetë një me 4.78.

Manaj: Keni qëllim ta kapni administratën me militantë partiakë

Kurse Shkëmb Manaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në emisionin “RTK Prime” tha se ky projektligj është vonuar dhe nuk ka pasur nevojë që të vonohet, sepse edhe ne qeverisjet e kaluara ka qenë një Ligj i Pagave që ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, i cili pastaj është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese

Manaj tha se e mirëpresin këtë ligj që të bëhet, por mënyra e qasjes nga shumica nuk është më e mira.

“Mirëpresim që ky ligj të bëhet, dhe është më se i nevojshëm sepse pagat në sektorin publik të Kosovës janë të përcaktuara me shumë vendime, me shumë akte të institucioneve. Ajo çka nuk është në rregull është se nuk është përcaktuar koeficienti i pagës, ende asnjë zyrtarë publik i Republikës së Kosovës nuk e din cili do të jetë koeficienti i përcaktuar me ligj”, tha Manaj.

Manaj tutje ka thënë se kjo është tendencë e qeverisë aktuale që Ligjin për Pagat të mos e zbatojë deri në vitin 2024.

Ramadani tha se miratimi i këtyre ligjeve do tua bëjë më dije zyrtarëve publikë se ai që dëshiron të bëjë pare duhet të merret me biznes e jo si deri më tani. Pas kësaj reagoi deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj “Që e keni qëllimin me ndryshua Ligjin për zyrtarët publikë dhe me e spastrua administratën publike dhe që ta kapni pastaj me militantë partiakë”.

Ramadani pranon se Ligji për Paga është vonuar

Deputeti  Ramadani tha se pajtohet që Ligji për Paga është vonuar, por sipas tij ka ardhur një ligj që i ka zhdukur pabarazitë.

Kurse Manaj shtoi se vendimet e qeverisë janë shfuqizuar nga vetë qeveria.

“Sipas Gjykatës Kushtetuese, vetëm në rrethana të jashtëzakonshme Qeveria ka të drejtë t’i ulë pagat”, tha Manaj.

Ndryshe Manaj tha se si LDK nuk kemi qëndrim për Ligjin për Pagat, sa i përket atakueshmërisë në Gjykatën Kushtetuese.


MË SHUME NGA Lajme