Nikçi: Për rastin e foshnjës në Pejë janë ndërmarrë të gjitha veprimet
BKT
Në Fokus

Nikçi: Për rastin e foshnjës në Pejë janë ndërmarrë të gjitha veprimet

E.Hoti/RTKlive

(E Plotësuar)Një foshnje që ka lindur pa shenja jete para një jave në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, dyshohet se është futur në rrobalarëse. Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, në një intervistë për RTK deklaroi se autoritetet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.

 “Ky rast ka ndodhur javën e kaluar. Me të pranuar informatën,  prokurorja e Krimeve të Rënda së bashku me Inspektoratin Shëndetësor kanë dalë në vendin e ngjarjes më ç’ rast janë marr disa veprime. Jemi në pritje të raportit të Inspektoratit Shëndetësor për të vazhduar më tutje”, tha ai. 

Nikçi ka njoftuar se sot kanë kontaktuar edhe me familjarët e foshnjës.

“Realisht ka qenë një takim konsultativ mes prokurores së çështjes dhe prindërve të foshnjës. Në këtë rast i njëjti është informuar për këtë proces hetimor dhe janë njoftuar se do të mbahen  të  informuar për procesin e tij deri në fund”, shtoi ai .

Rasti i foshnjës në Pejë, suspendohen shtatë punonjës të spitalit

Një foshnje e vdekur dyshohet se është futur në rrobalarëse në Spitalin e Pejës para një jave, ndërsa sot  për shkak të këtij rasti është njoftuar se janë suspenduar shtatë punonjës të spitalit.

Lajmin për foshnjën e vdekur e ka konfirmuar për RTK-në, kryeprokurori i Prokurorisë në Pejë, Agim Kurmehaj, i cili ka thënë se kanë ndërmarrë veprimet e duhura për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.

 Ai ka shtuar se ekziston dyshimi i bazuar se foshnja, ndonëse e vdekur është futur në rrobalarëse, por, për rrethana të tjera, është ende herët të flitet.

Edhe kryeinspektori shëndetësor ka thënë për RTK-në se inspektorët kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e përgatitur raportin për të gjeturat.

Për rastin në Pejë për RTK-në është deklaruar përmes telefonit edhe ushtruesja e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu e cila ka thënë se qysh javën e kaluar është njoftuar se komplet stafi që kanë qenë të involvuar në këtë rast të dyshimtë janë suspenduar.

Ajo ka thënë se është duke u pritur edhe raporti i Inspektoratit Shëndetësor dhe varësisht nga ai do të merren masa të reja.

Ndërkohë  edhe Spitali i Pejës ka reaguar pas rastit, duke njoftuar edhe për suspendimin  e 7 punonjësve të këtij spitali.

Përmes një postimi në Facebook, Spitali i Pejës njoftoi se hetimi për rastin nuk është duke u bërë për ndërhyrjen kirurgjike apo përkujdesjen tjetër shëndetësore, por lidhur me mënyrën se si është bërë ruajtja e foshnjës së vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e foshnjës së vdekur tek familjarët.

 “Në Repartin e Gjinekologjisë të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë në mbrëmjen e datës 13.12.2022 tek një shtatzënë e shtrirë në Spitalin tonë është bërë diagnostifikimi i frytit të vdekur nga ana e mjekut kujdestar, dhe si rrjedhojë ka ndodhur një intervenim kirurgjik dhe fetusi nxirret me prerje cezariane i vdekur në javën e 32 të gestacionit”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se menjëherë me të ndodhur rasti, organet e hetuesisë në njërën anë dhe paralelisht organet menaxheriale të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë janë duke bërë hetime të detajuara lidhur me këtë rast.

“Duhet theksuar se hetimet nuk janë duke u bërë për ndërhyrjen kirurgjike apo përkujdesjen tjetër shëndetësore, por lidhur me mënyrën se si është bërë ruajtja e fetuesit të vdekur, dhe tërë atë që ka ndodhur deri në dorëzim e fetuesit të vdekur tek familjarët”.

Spitali i Përgjithshëm në Pejë thotë se me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit.

“Rasti është ende në hetim dhe sapo që organet e hetuesisë dhe Inspektoratit Shëndetësor të dalin me konstatime e veprime përfundimtare, opinioni do të njoftohet me detaje të ngjarjes dhe me masa adekuate të parapara me ligj”, thuhet tutje në njoftim.


MË SHUME NGA Në Fokus