Partizani fiton derbin ndaj Tiranës
RTSH
Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të mërkurën dy ndeshjet e para të javës së 15-të të saj, që është edhe java e fundit e vitit kalendarik 2022.
Dhe padyshim vëmendja ka qenë tek derbi i kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit, që u zhvillua në mbrëmje në Stadiumin “Arena Kombëtare”. Kjo ndeshje, e cila nisi me 8 minuta vonesë për shkak të objekteve të hedhura në fushën e blertë nga tifozët, ka parë të kuqtë kryeqytetas ta nisin në mënyrën më të mirë të mundshme.
Brenda vetëm 4 minutash lojë, Partizani ka gjetur rrugën e rrjetës, pasi vjen një harkim i Buxhelajt nga e majta, dhe Aleksi nuk largon siç duhet topin në zonë, aty ku Xhuliano Skuka përfiton dhe godet me forcë në shtyllën e dytë, duke çuar topin në rrjetë. Loja vijon e hapur dhe e luftuar nga ana e të dyja skuadrave me Redon Xhixhën dhe me Skukën protagonistë për secilën skuadër në kërkim të rrugës së rrjetës në gjysmëorën e parë.
Më pas, në çerekorën e fundit të pjesës së parë, është Kallaku që del si protagonist për bardheblutë, duke rrezikuar në dy raste, por pa rezultat, sepse 45 minutat e para të këtij derbi do të mbyllen me epërsinë minimale të Partizanit. Ato të dytat janë identike me të parat në atë që janë tifozët që shkaktojnë sërish ndërprerjen dhe nisjen me 13 minuta vonesë, për shkak të hedhjes në fushë të objekteve piroteknike.
Kur ajo rifillon, loja vijon të jetë e hapur, me të dyja skuadrat që e synojnë portën e njëra-tjetrës dhe rastet nuk kanë munguar. Cara ka parë shtyllën horizontale t’i mohojë golin në minutën e 55-të, ndërsa 4 minuta më pas, Patrik nuk e gjen për pak kuadratin e të kuqve. Tirana vazhdon të këmbëngulë, por është Partizani më i rrezikshëm në skajin e kundërt, duke shkuar dëm 3 raste të njëpasnjëshme, dy herë me Carën dhe një herë Skukën në minutën e 80-të.
Përtej 8 minutave shtesë, Partizani e mbron fitoren minimale dhe mund Tiranën 1-0, duke u shkëputur plot 4 pikë nga bardheblutë në krye të renditjes.






















