10:37 / 23.12.2022
BE e shqetësuar me Ligjin për zyrtarët publikë
RTK
Lidhur me ligjin për zyrtarët publikë të miratuar në Kuvend, sot kanë reaguar nga Bashkimi Evropian, duke shprehur shqetësim me disa dispozita të këtij ligji.
Në reagim thuhet se BE-ja shpreh keqardhje që Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten ligje pa marrë parasysh komentet e tyre.
Në reagim gjithashtu thuhet se ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik përkitazi me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë në mënyrë efektive burimet njerëzore, pasi shton liri të tepruar veprimi në procedurat e rekrutimit, transferimit dhe në procedurat disiplinore të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të cenueshëm ndaj politizimit.























