Kurti: Digjitalizimi një nga objektivat kyçe të programit qeverisës
M.Shefkiu/RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se digjitalizimi i gjithmbarshëm është një nga objektivat kyçe të programit qeverisës dhe është pjesë e të gjitha shtyllave të Planit Kombëtar për Zhvillim 2030. Këto komente kryeministri i bëri në takimin e parë të Komisionit për Transformim Digjital.
Kurti theksoi se përmes zhvillimit të qeverisjes elektronike po synohet rritjen e transparencës e llogaridhënies dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Me digjitalizimin, që është i ndërlidhur ngushtë me reformën dhe modernizimin e administratës publike, do të krijohen shërbime elektronike, që në qendër e kanë qytetarin, thuhet në njoftimin lëshuar nga Qeveria.
Sipas këtij takimi, duke pasur parasysh rëndësinë e transformimit digjital në të gjitha fushat e qeverisjes, dhe nevojën për avancim të mekanizmave qeverisës për realizimin e këtij transformimi, është themeluar Komisioni për Transformim Digjital, që do të mbikëqyrë dhe sigurojë mbarëvajtjen e procesit të transformimit digjital.
Komisioni thuhet se do të shqyrtojë dhe miratojë prioritetet strategjike dhe iniciativat e politikave të reja të Qeverisë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit, do të ofrojë drejtim strategjik, si dhe do të sigurojë koordinim ndërinstitucional në projektet me rëndësi të lartë në këtë fushë”, deklaroi kryeministri kosovar.
Në takim u theksua se gjatë këtij viti që po e lëmë pas, Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë disa hapa të rëndësishëm në fushën e digjitalizimit: Janë lansuar një sërë shërbimesh elektronike për qytetarë dhe biznese, duke u përqendruar në shërbimet më të përdorura, që kanë shkaktuar më së shumti radhë nëpër sportele.
Është lansuar siç u tha, edhe sistemi elektronik për hartimin e legjislacionit dhe kemi filluar me pilotimin e projektit të rëndësishëm të ndërlidhjes së qytetarit me adresë.
Qeveria po ashtu ka aprovuar strategjinë e re të arsimit, ku digjitalizimi në arsim është një nga 5 shtyllat e saj, u tha në komision.
“Është miratuar në Qeveri projektligji për sigurinë kibernetike dhe është lansuar sistemi për monitorimin e spektrit frekuencor. Është promovuar lansimi i qendrës së të dhënave për Rrjetin Akademik dhe Hulumtues të Kosovës”, është thënë Në Komision, derisa u përmend edhe fakti se, Kosova për herë të parë u bë nikoqir i Samitit Digjital regjional.
Qeveria u tha se është në finalizim të dokumenteve kyçe strategjike të strategjisë së e-qeverisjes, strategjisë së sigurisë kibernetike dhe agjendës digjitale.
“Janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e zbatimit të projekteve strategjike me partnerët zhvillimorë si USAID, GIZ dhe Banka Botërore. Së fundmi, progresi jonë në fushën e digjitalizimit është njohur edhe nga Indeksi i Bankës Botërore të maturitetit të teknologjisë në qeveri (GTMI). Kosova këtë vit është kategorizuar në grupin B të vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale, që shënon përparim nga viti 2020, kur ka qenë e kategorizuar në grupin C të vendeve me fokus të kufizuar në qeverisje digjitale”, thuhet në njoftimin që ka dalë nga takimi i parë ië Komisionit për Transformim Digjital.























