Me mungesë kuorumi, përmbyllet puna e Kuvendit për këtë vit
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Mungesa e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka bërë që seanca fundit për këtë vit të përmbyllet pa arritur të konsumohen të gjitha pikat e rendit të ditës të parapara për sot.
Kthimi në sallë pasdite u përcoll vazhdimisht me numër të vogël deputetësh, vota të pamjaftueshme për të quar përpara projektligjet e parapara me rend dite.
Vetëm Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës arriti të kalonte këtë pasdite, por vetëm pas tentimit të tretë.
Kur radha i erdhi Projektligjit pёr anti dopingun, puna ngeci tek votimi i amendamenteve të propozuara që kërkojnë mbi 60 vota deputetësh.
Duke parë këtë situatë kryeparlamentari vendosi që seanca të përmbyllej, duke mbetur kështu të pashqyrtuara shumë projektligje dhe të pa votuara 3 marrëveshjet ndërkombëtare, njëra prej të cilave ajo për Reformën në Sistemin e Ndihmës Sociale që afatin e skadencës e kishte 31 dhjetorin.
“Vetëm 60 deputet po marrin pjesë në seancë dhe 4 deputet nuk po votojnë. Ne e ndërpresim këtu seancën. Gëzuar Krishtlindjet dhe urime Vitin e Ri. Shihemi në sesionin e ardhshëm”, kanë qenë fjalët e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.
Me këtë seancë është përmbyllur sesioni vjeshtor i Kuvendit. Ligjvënësit kthehen në sallë plenare të hënën e tretë të janarit.
Pak deputetë kthehen në sallë, marrëveshjet ndërkombëtare nuk votohen / Video
(E plotësuar) Njëjtë sikurse në nisjen e seancës paradite, edhe vazhdimi i saj pasdite ka nisur me rreth një orë vonesë. Për në 15 e 30 ishte paraparë të fillonte seanca plenare, por ajo nuk nisi deri para pak minutash.
Vazhdimi i seancës ishte paraparë të bëhej me votimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat u përfshinë në rend dite pas një mocioni të Vetëvendosjes, por të njëjtat as nuk arritën të shqyrtoheshin meqë në sallë nuk ishin 80 deputetë, siç e kërkon rregulli për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca ka shprehur mospajtimin e tij për mungesën e deputetëve, për çka tha se morën mandatin nga qytetarët.
“Shumë pak deputet kanë ardhur në këtë pjesë të seancës së paditës, por tek e fundit është përgjegjësi e Grupeve Parlamentare që të mbajnë deputetët e tyre të përgjegjshëm për punën që na e kanë dhënë qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Seanca po vazhdon me trajtimin e pikave të tjera të rendit të ditës.
Duke parë numrin e vogël të deputetëve në sallë, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se po e shfrytëzon rastin t’i bëjë disa urime në prag të festave të fundvitit.
“Ne u ndalëm për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare, por po shihet që nuk ka kuorum. Unë po e shfrytëzoj rastin t’i uroj festat e fundvitit të gjithë qytetarëve më së shumti policëve të Kosovës, në veçanti diasporës dhe lidershipin e UÇK-së që e kemi në Hagë. Urime ky vit i ri, se po shihet që nuk ka numra”, tha Tahiri.
Hajdar Beqaj i PDK-së tha se kur nuk ka kuorum për marrëveshjet ndërkombëtare edhe urimet e kanë kuptimin e vetë.
“I bashkohem Tahirit dhe i urojmë qytetarëve që viti i ri të jetë më i mirë për ta dhe më i begatshëm”, tha Beqaj.
Ndërkohë, kur numri i deputetëve u shtua në sallë aty u votua projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, por vetëm pas tentimit të tretë.
Pozita e opozita përplasen për situatën në veri të vendit
Me një orë vonesë ka filluar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës. Kryetari, Glauk Konjufca tha se dinamika e Kuvendit po varet nga efektiviteti i mazhorancës.
Deputeti vetëvendosjes, Luan Aliu foli për situatën në veri të vendit. Ai tha se edhe 23 vjet pas lufte fqinji verior, Serbia ende po kërcënon me luftë dhe me rikthim të forcave ushtarake që gjatë viteve të 90 kryen gjenocid në Kosovë.
“Ajo kërkon të vazhdojë luftën që e humbi dekada më parë. Mohimi i shtetit të Kosovës dhe pavarësisë përbën rrezik të vazhdueshëm jo vetëm për shtetin tonë , por edhe për ekzistencën tonë. Në veri të vendit paqja mbeti përherë e brishtë. Pakoja e Ahtisarit ishte kompromisi më i dhimbshëm i imponuar nga partnerët ndërkombëtar”, tha ai
Deputeti që ishte i pari që foli në pikën jashtë rendit të ditës në emër të Vetëvendosjes tha se integrimi i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë e as pas një dekade dialog në Bruksel, duke akuzuar kështu ish- drejtuesit qeveritar për situatën atje.
“Ajo që na u shpërfaqë ndër vite si integrim e normalizim i veriut ishte njëfarë kompromisi që bëhej me bandat kriminale të dirigjuara nga Vuçiqi. Lloj- lloj marrëveshje tregtare, politike edhe për të formuar Qeverinë e Kosovës bëhej edhe me kriminelët Radoiçiq e Veselinoviq të cilët edhe u pritën ngrohtësisht në zyrën e ish kryeministrit Haradinaj në blerjen e qetësisë së veriut. Madje ish- kryeministri Thaçi kishte nënshkruar marrëveshjen e 9 prillit 2013 duke garantuar se FSK-ja nuk do të dërgohej atje”, tha ai.
Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka folur për punën e presidentes Osmani gjatë këtij viti. Tha se asnjë njohje nuk pati Kosova këtë vit duke e quajtur këtë dështim të politikës së jashtme.
“Politika e jashtme është një nga shtyllat kryesore që lidhen me pozitën e presidentes, asnjë angazhim konsistent përveç deklarativ nuk kemi parë nga presidentja për këtë çështje kardinale në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar. Ka dështuar plotësisht për ta ushtruar këtë rol e për më tepër për mbrojtjen e imazhit të Kosovës si shtet i konsoliduar dhe ka abstenuar nga çfarëdo lloj përballje në interes të vendit. Presidentja është dashur të raportojë pse nuk ka njohje, pse nuk ka anëtarësim në organizata e mekanizma ndërkombëtar, pse nuk ka rezultat në dialog e pse ka degradim të diplomacisë”, tha ajo.
Ndërkohë, Anton Quni deputet i LDK-së, në emër të Grupit foli për gjendjen në veri. Tha se situata aktuale i shërben Serbisë e Rusisë e më së paku Kosovës.
“Nuk po flas ta dramatizoj situatën, por të kuptohet nga të gjithë pesha e situatës së krijuar. Kundërshtari i Republikës së Kosovës, aleati tradicional i Rusisë, është i krijuar nga kurthet, operon me kurthe e jeton nga kurthet e sot veç një detyrë e ka kjo Qeveri të mos vazhdojë të bije në kurthet e kundërshtarit. Në sferën ushtarake të mbrojtjes të sigurisë, të njohësh armikun është detyrë e rrjedhimisht përparësi e madhe”, tha ai.
Ai tha se pa dyshim se policët janë në nivel detyre, pavarësisht kush është në qeveri.
“Janë po të njëjtit policë që në të kaluarën nga vetë kryeministri u ofenduan, bile duke i krahasuar me primatët më primitiv e që u bënin thirrje për të shkuar në Mitrovicë. Ata tani janë atje, bile përtej Mitrovicës në skajin më të largët, janë atje për të kryer detyrën e tyre me nder e përgjegjësi e do të jenë përherë. Ata sot janë krenaria e Kosovës. Shtrohet pyetje a ka pasur mundësi të tjera që nuk krijojnë tensione e rreziqe?
Po, ishte një kërkesë shumë dashamirëse dhe e arsyeshme nga aleati ynë më i besueshëm, SHBA. Ju kryeministër, aleatit të Kosovës iu përgjigjet me faza e fraza periudha e etapa. Kryeministër nuk bëhet të forcohet miqësia me kushte, rata e këste, je ose nuk je mik”, tha ai.
Ndërkaq deputeti i AAK-së, Bekë Berisha tha se situata në vend është serioze, ndonëse sipas tij në Kuvend disa nuk po e marrin seriozisht këtë punë.
“Ne jemi të zgjedhur të popullit e kemi për detyrë kombëtare të i dërgojmë disa porosi nga kjo foltore, po e shoh që prapë disa heshtin, por mandatin e kemi prej popullit dhe ne duhet të flasim. Protestat e stilit të Gazimestanit e Milosheviqit në Fushë Kosovë janë metoda të shekullit të kaluar, ato nuk e ndihmojnë zgjidhjen e problemit mes dy shteteve e as qytetarin e cilitdo komunitet në Kosovë. Vuçiqi duhet t’i ndalë këto kopje të lodhura të shekullit të kaluar të stilit të kasapit Milosheviq, sepse as nuk na trembin as nuk kanë efekt”, tha ai, derisa ka kërkuar nga kryeministri të komunikojë me NATO-n e Amerikën. “Kjo është detyrë e jotja e nuk ka të bëjë me vullnetin tënd”.
Ndaj deklaratës së deputetes, Eliza Hoxha ka reaguar deputeti, Haxhi Avdyli. Ai tha se numri i takimeve të presidentes ka qenë i lartë duke nisur nga presidenti Biden .
“Puna e saj flet e nuk ka nevojë te flasim e prezantojmë fakte sepse kur janë fatet , fjalët janë të tepërta. Barometrat e vendosin presidenten si personin më të pëlqyeshëm në Kosovë ku 59 për qind e të anketuarve sipas barometrit të sigurisë së Ballkanit Perëndimor janë të kënaqur me punën e saj”, tha ai.
Sipas tij, gjithë kjo punë po kurorëzohet me rezultate të shumta në skenën globale ku sot Kosova nuk është temë, por është palë. Sot, Kosova ka arritur për jetë të parë të realizojë atë që është tentuar dhe janë hapur shampanjat në të kaluarën, për liberalizimin e vizave e kjo do të ndodhë shpejtë. Sot, Kosova është në hapin e fundit drejtë anëtarësimit në Këshillin e Evropës e organizata tjera e kjo është fryt i punës së presidentes.
Përplasje mes Musliut të PDK-së e kryeministri Kurti

(E plot/suar) Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu është përplasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në kohën e pyetjeve parlamentare.
Fillimisht replikat e kundër replikat mes parlamentares nga PDK-ja e shefit qeveritar nisën rreth një premtimi elektoral që Musliu tha se e kishte bërë Kurti për ndërtimin e disa objekteve për 4 mijë familje, për çka tha se ende asgjë nuk ka lëvizur në atë drejtim.
Kreu qeveritar tha se po bëhet studimi për realizmin e këtij projekti, i cili sipas tij, pritet përfundojë brenda pak ditësh. “Duhet të bëhet analizë e përfituesve potencial, ligjeve dhe modelet më të përshtatshme për të realizuar këtë projekt”, iu përgjigj Kurti deputetes Musliu.
Ai tregoi se për realizimin e këtij projekti janë përzgjedhur 5 komuna, Prishtina, Prizreni, Gjilani, Peja e Mitrovica derisa tha se i është kërkuar komunave të dërgojnë tokën komunale në dispozicion.
Por, Musliu ka insistuar të dijë se kur qytetarët do t’i kenë ato banesa, meqë tha se ishte premtim elektoral para dy vjetësh.
Kreu qeveritar tha se ndryshe nga qeveritë e kaluara ata marrin kohë në planifikim e jo në ekzekutim. “Ne dëshirojmë ekzekutim sa më të shpejtë e mendim e planifikim sa më të thellë, është e kundërta e qeverisjeve të mëhershme”, tha ai.
Diskutimet mes tyre vazhduan edhe kur deputetja e PDK-së e pyeti kryeministrin pse ende në shumë ministri ka ushtrues detyre të sekretarëve permanent e nuk po zgjidhen ata.
E pakënaqur me përgjigjen që mori nga kryeministri, Musliu iu drejtua të parit të qeverisë duke i thënë “Jeni mësuar veç të flisni pa thënë asgjë”.
Ndaj saj reagoi kryeministri duke e pyetur nëse ajo ka kuptuar se çka iu përgjigj ai.
Pas kësaj deputetja e PDK-së e ka quajtur kryeministrin “hajgarexhi”.
“Ky “hajgarexhia” që e ka bërë shtetin llugë nuk i shiten më mashtrimet”, tha ajo.
Kryeparlamentari Konjufca vazhdimisht ka kërkuar nga deputetja e PDK-së që të ketë kujdes më fjalorin kur flet me kryeministri e vendit.
Me një orë vonesë nis seanca e Kuvendit

Me një orë vonesë ka filluar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës. Kryetari, Glauk Konjufca tha se dinamika e Kuvendit po varet nga efektiviteti i mazhorancës.
Kjo seancë nisi me propozimin e partisë në pushtet për plotësimin e rendit të ditës edhe me tri marrëveshje ndërkombëtare, njëra nga të cilat ajo e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale nëse nuk votohet tash i skadon afati me 31 dhjetor të këtij viti. Kështu ka bërë të ditur kryetarja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila.
Për marrëveshjen e parë ndërkombëtare, pra për atë të Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale i ka ende dilemat e saj nëse do ta votojë ose jo, Partia Demokratike e Kosovës e për këtë shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri tha se do të konsultohen sërish në Grupin Parlamentar, derisa për dy të tjerat tha se kanë votë për.
Ndryshe nga PDK-ja, LDK-ja nuk do ta votojë marrëveshjen e parë ndërkombëtare e cila afatin e miratimit e ka vetëm deri më 31 të këtij muaji.
Me shumicë votash këto tri marrëveshje janë përfshirë në rendin e ditës së sotme si pika e 5, 6 e 7 duke quar numrin e pikave të rendit të ditës në 15.
Ndërkohë në 33 vjetorin e themelimit të LDK-së, kjo parti ka marr urime nga kryeparlamentari, Glauk Konjufca, në seancën plenare.























