Kurti: Qeveria mirëpret vazhdimin e dialogut social
E.Hoti/RTKlive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli.
Në njoftim thuhet se sindikatat kanë mirëpritur votimin e dy ligjeve për pagat dhe për zyrtarët publikë.
"U tha se BSPK ka mirëpritur votimin e Ligjit për Zyrtarët Publik dhe atë për Pagat në Sektorin Publik, ndërsa u vlerësua edhe ndikimi pozitiv i Pakos për përballje me inflacionin", thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Duke falënderuar kryetarin e BSPK-së për bashkëpunimin në ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria mirëpret vazhdimin e dialogut social edhe në vitin 2023.
Në këtë takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet qeverisë dhe BSPK-së, si dhe u bisedua për bashkëpunimin e mëtejmë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve në sektorin publik dhe privat.























