Hovenier dënon ashpër sulmin ndaj gazetarëve në veri të vendit
N.Mekolli /RTKlive
(E plotësuar) Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një reagimi në mediat sociale, ka dënuar ashpër sulmet e fundit ndaj gazetarëve kosovarë.
Hovenier, në një postim në Twitter, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bashkohen Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Bashkimit Evropian duke e dënuar sulmet ndaj gazetarëve, në veri të vendit.
“Shtetet e Bashkuara i bashkohen Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, duke dënuar ashpër një seri sulmesh kundër gazetarëve kosovarë. Mediat duhet të jenë në gjendje të punojnë pa kërcënime, dhunë dhe frikësim. Një shtyp i lirë dhe i pavarur është themeli i demokracisë”, shkruan ambasadori Hovenier.
Më herët Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e kanë dënuar sulmin e sotëm ndaj gazetarëve që po raportojnë nga veriu i vendit.
Persona të maskuar e kanë sulmuar ekipin e Klan Kosovës në Zubin Potok, ka njoftuar më herët AGK.
BE për sulmin në Zupin Potok: Dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme

B. Halimi / RTKlive
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar për sulmin e sotëm ndaj një ekipi televiziv kosovar në veri të vendit.
"Ne, BE dënojmë fuqishëm sulmin e sotëm ndaj ekipit televiziv të KlanKosova në Zubin Potok dhe i urojmë shërim të shpejtë. Ky dhe incidentet e mëparshme që prekin punën e mediave janë të papranueshme. Mediat kanë çdo të drejtë të raportojnë. Siguria e tyre nuk duhet të rrezikohet”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së në ‘twitter’.
Policia jep detaje nga sulmi ndaj gazetarëve në Zupç
Policia e Kosovës ka dhënë detaje mbi sulmin e sotëm në fshatin Zupç të Zubin Potokut, ku nga persona të dyshuar është sulmuar një ekip me gazetarë të televizionit Klan Kosova.
“Sulmi ndaj tyre dyshohet se është kryer nga disa persona të maskuar, të cilët me mjete të forta (gurë) kanë sulmuar automjetin e mediumit dhe gazetarët të cilët ishin në detyrë. Si pasojë e sulmit, vetura ka pësuar dëme materiale, përderisa dy nga personat/gazetarët e mediumit kanë pësuar lëndime dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor”, thuhet në reagimin e policisë.
Policia ka bërë të ditur se po kryen hetime me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar.
AGK: Persona me maska sulmuan me gurë një ekip televiziv në Zupç
Një ekip televiziv kosovar është sulmuar nga persona të maskuar në fshatin Zupç të Zubin Potokut derisa po raportonte nga vendi i ngjarjes për barrikadat e ngritura nga grupet kriminale serbe në veri. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Në një trend alarmues, AGK-ja është njoftuar sot për një tjetër sulm të rëndë kundër gazetarëve që po raportojnë nga veriu i vendit. Persona të maskuar e kanë sulmuar ekipin e Klan Kosovës në Zubin Potok”, ka njoftuar AGK.
Sipas komunikatës, ekipi i përbërë nga gazetarët Qëndresa Bellagoshi, Drin Demiri, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, janë sulmuar sot në fshatin Zupç.
“Gazetarja Bellagoshi dhe shoferi Sinani kanë marrë trajtim mjekësor, pasi që xhamat e veturës së thyer nga gurët i kanë goditur në fytyrë. Teksa, Demiri dhe Bejtullahu kanë shpëtuar pa lëndime. Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës. Sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri. Andaj, AGK-ja, kërkon nga KFOR-i dhe EULEX-i që të luajnë rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, që vazhdojnë të jenë cak i sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar”, thuhet në reagimin e AGK-së.























