Haxhiu: Tani kemi një draft të Vettingut në drejtësi
BKT
Arlinda Sejda / RTK
Në Fokus

Haxhiu: Tani kemi një draft të Vettingut në drejtësi

Arlinda Sejda / RTK

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka raportuar para Komisionit Ad-hoc ku ka paraqitur pakon e dokumenteve për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, që ndryshe njihet si Komisioni i Vettingut.

Sipas Haxhiut ky proces ka qenë ndër prioritetet e ekzekutivit, derisa ka thënë se i kanë marrë për bazë edhe vërejtjet e Komisionit të Venecias. “Pas përpjekjes maksimale kemi arritur ta kemi një draft  të Vettingut për sistemin e drejtësisë. Ndonëse Komisioni i Venecias nuk e përkrah 100 për qind atë që e ka propozuar Qeveria për një Vetting të përgjithshëm të sistemit të drejtësisë, ne jemi pajtuar me rekomandimet e tij. Edhe pse e dimë që këto rekomandime nuk janë të obligueshme, ne e kemi bërë këtë. Në seancën e Komisionit të Venecias, ku u diskutua projektligji për Byronë Kosovare të Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, morëm fjalë të mëdha nga komisioneri. Ai tha se Kosova është shembull i marrje së rekomandimeve të Komisionit të Venecias”, theksoi Haxhiu.

Ajo tha se Komisioni i Venecias ka pasur shumë shqetësim se si ka kaluar procesi Vettingut në Shqipëri, prandaj duke u bazuar në shembullin e Shqipërisë edhe kanë hezituar për një Vetting gjithëpërfshirës.

Megjithatë, ministrja ka thënë se edhe Organizatat JoQeveritare kanë evidentuar se gjendja në sistemin e drejtësisë është e rëndë dhe se duhet urgjentisht të ndërhyhet për ta përmirësuar gjendjen.

Ajo tutje theksoi se ministria që e drejton e ka Departamentin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar.

“Jemi në bashkëpunim të mirë me vendet e ndryshme. Në vendet ku kemi më shumë mërgatë jemi në prag të lidhjes së marrëveshjeve”, nënvizoi Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, e ka pyetur ministren për vetting në sistemin e sigurisë, teksa ministrja ka thënë se edhe ky proces është në plan-programin e Qeverisë. Ajo tha se ministria e Punëve të Brendshme ka punuar në koncept-dokumentin e vettingut, por për shkak të rrethanave në veri i gjithë fokusi ka qenë atje dhe nuk kanë mundur të dakordohen më shumë. “Siç e dini ne e kemi në program edhe vettingun në sistemin e policisë. MPB është duke punuar në këtë drejtim, por rrethanat në veri kanë bërë që mos të dakordohemi më shumë në këtë proces. Gjithsesi, aty është më lehtë sepse nuk ka nevojë për ndryshime Kushtetuese”, shtoi Haxhiu.

Ndërkaq e pyetur nga deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, nëse do t’i kenë votat e deputetëve të komuniteteve joshumicë, ministrja e Drejtësisë e pranoi se kjo çështje do të jetë mjaft sfiduese, por tha se duhet të punojnë në këtë drejtim edhe me partitë opozitare dhe me faktorin ndërkombëtar.

“Votat që na duhen për ndryshimet kushtetuese është një sfidë tjetër. Kuvendi, Komisioni Ad-hoc duhet të na ndihmojë që ta qojmë procesin deri në atë fazë dhe të mbështetemi në partnerët tanë”, theksoi ministrja.


MË SHUME NGA Në Fokus