Kurti: Drejtësi e vonuar, një jetë e humbur
BKT
Foto; Arkiv
Lajme

Kurti: Drejtësi e vonuar, një jetë e humbur

M.Shefkiu/RTKlive

Pas lirimit nga akuza të katër të dyshuarve për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, ka reaguar kryeministri Albin Kurti, duke e përshëndetur këtë vendim, por duke përkujtuar Astrit Deharin që ishte pjesë e këtij procesi. “Ky rast nuk është thjesht drejtësi e vonuar, por edhe një jetë e humbur”, shkruan Kurti në facebook.

Në gusht të vitit 2016, sipas tij, u arrestuan aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje për një sulm që kishte ndodhur ndaj Kuvendit të Kosovës.

“Ishte kjo ndër përpjekjet e mëdha për ta eliminuar Lëvizjen tonë nga skena politike. Sot, 6 vite më vonë aktivistët tanë shpallen të pafajshëm ndaj kësaj akuze. Ndonëse drejtësi e vonuar, megjithatë duhet përshëndetur për vendimin meritor final”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga akuza Frashër Krasniqin, Atdhe Arifin, Egzon Halitin dhe Adea Batushën. Ata ishin në procesin e rigjykimit si të dyshuar për sulm ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, në vitin 2016.

“Astrit Dehari, aktivisti ynë është marrë në burg për këtë akuzë dhe kur sot kjo akuzë bije tërësisht, ai më nuk gjendet në mesin tonë. Nëse deri tash kemi bërë thirrje ‘’Drejtësi për Astritin’’ për të zbuluar tërësisht rastin, tash kjo thirrje bëhet edhe më e prerë. Përgjegjësit e rastit të Astrit Deharit duhet të japin llogari për arrestimin e një të pafajshmi dhe mbytjen e një aktivisti politik”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, sot kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, ka thënë se ndaj të pandehurve nuk është vërtetuar akuza.

Fillimisht në nëntor të vitit 2017, ndaj tyre ishin shqiptuar dënime për akuzën e kryerjes së sulmit terrorist mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës, me qëllim të ‘frikësimit të institucioneve e qytetarëve, prej miratimit të marrëveshjes së demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi’. Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi me 6 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë dhe Adea Batusha me 2 vjet. Megjithatë, Gjykata e Apelit e ktheu këtë proces në rigjykim.

Në këtë proces gjyqësor ishin të akuzuar edhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana ende të pasqaruara, si dhe Petrit Ademi, ndaj të cilit kishin pushuar hetimet.


MË SHUME NGA Lajme