Vdekja e 67 vjeçares në Dragash po hetohet nga prokuroria|Video
Myrvete Axhami/ RTK
Më 21 dhjetor të këtij viti Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë kundër dy familjarëve të viktimës grua e cila u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në fshatin Kuk të Dragashit. Dhunë psikike kundër të ndjerës, sipas policisë, ishte ushtruar edhe në nëntor. Nga Prokuroria e Prizrenit thonë se pas daljes së rezultateve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, do të vazhdojnë më tutje me veprimet.
Vdekja e 67 vjeçares në Kuk të Dragashit ka alarmuar organet e sigurisë dhe hetuesisë, pasi dyshohet se erdhi si pasojë e dhunës psikike e ushtruar nga familjarët.
Prokuroria Themelore e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë kundër familjarëve të të ndjerës më 21 dhjetor të këtij viti, nën dyshimet për dhunë në familje.
E familjarët, ndaj të cilëve ka aktakuzë, japin një variant të kësaj ngjarjeje.
"I kam ra, s'po them e kam rrah, a me u vra ato shenja që po thua ti, i ka marr shkallëve, që hipke zhargas... E kapa thash ta qoj në këmbë, nuk munda me e mbajtë e më ka ra ", tha nusja e vëllait të viktimës, Nazire Abdyli.
"Unë për momentin kam qenë në punë , kam ardhur prej pune si më kanë thënë se ka vdeekur dhe për më tepër unë nuk kam informata më të sakta “, tha nipi i viktimës, Jeton Abdyli.
Se kishte pasur dhunë psikike në nëntor kundër viktimës, e thotë edhe policia.
"Në rastin kur është raportuar si viktimë e dhunës në familje ka qenë në nëntor, me 8 nëntor faktikisht , nuk ka pas urdhër mbrojtës viktima dhe në rastin konkret nuk është ushtruar dhunë fizike ndaj sa , por më shumë dhunë psikologjike apo moskujdes ndaj personit me nevoja të veçanta , për shkak se viktima ka qenë me nevoja të veçanta", thotë toger Shaqir Bytyçi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit.
Rasti do të vazhdojë më tutje pasi të dalin rezultatet e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.























