KPK: Të respektohet puna e pavarur e Prokurorit të Shtetit
E.Hoti/RTKlive
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe vartësve të tij, pas vendimit të Prokurorisë Speciale për ndërrimin e masës së ish-policit serb të arrestuar, Dejan Pantiq.
Këshilli Prokurorial vlerëson se reagimet e tilla janë tendencë për ndërhyrje në punët dhe pavarësinë e sistemit Prokurorial të Republikës së Kosovës.
“KPK shpreh indinjatën e thellë me kërkesën e kryeministrit Kurti për t’u informuar me emrin e prokurorit i cili ka bërë kërkesë për ndërrimin e masës ndaj të pandehurit Pantiq, ngase kjo përveç që ndikon në punën e pavarur të prokurorit, mund të nxitë edhe reagime që mund ta rrezikojnë jetën e tij”, thuhet në reagimin e KPK-së.
KPK ka bërë thirrje të respektohet puna e institucionit të pavarur të Prokurorit të Shtetit.
Kundër vendimit për Pantiqin u shpreh sot edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila e ka vlerësuar si “aktin më të rëndë që mund t'i bëhej vendit nga institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit tonë kushtetues”.
Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi të mërkurën se Pantiqit i është ndryshuar masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.























