Deputetët gjermanë: Serbisë t`i dërgohet mesazh i qartë
Jeton musliu/RTKlive
Situata në veri të Kosovës ku për më shumë se dy javë, u bllokuan rrugët e vendit nga serbët lokalë, të dirigjuar nga Beogradi zyrtar, ka shqetësuar jo pak ligjvënësit gjermanë.
Deputeti i SPD-së, Adis Ahmetoviq, pas njoftimit të Serbisë për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, deklaroi se kjo është një shenjë e mirë.
Megjithatë, ai theksoi se konflikti mes Serbisë dhe Kosovës nuk do të përfundojë.
“Derisa qeveria serbe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, do të ketë këtë konflikt mes dy vendeve”, deklaroi Ahmetoviq, i cili është me rrënjë nga Bosnje e Hercegovina.
Deputeti Ahmetoviq tha se tani duhet pritur për të parë se çfarë do të ndodhë më tej, ndonëse nuk e fshehu frikën se konflikti mund të përshkallëzohet.
“Nëse ne (si BE) përpiqemi të demokratizojmë më tej Kosovën dhe të forcojmë integritetin dhe sovranitetin e saj territorial, qeveria serbe në anën tjetër do të përpiqet të përshkallëzojë (situatën)”, tha ai.
Ahmetoviq supozon se Rusia po përpiqet të destabilizojë BE-në si një konstrukt demokratik.
Shqetësimeve të ngritura nga deputeti gjerman Ahmetoviq, i është bashkuar edhe kolegu i tij Volker Ullrich nga CDU/CSU.
Sidoqoftë, Ullrich ishte edhe më i prerë. Ai tha se Serbisë duhet t’i dërgohet një mesazh i koordinuar evropian. “Situata në Kosovë nuk guxon të përkeqësohet më tej. Ajo që nevojitet është një mesazh i koordinuar evropian ndaj Serbisë”, deklaroi ai.
Deputeti gjerman deklaroi se është urgjente çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Nevojiten shtensionimi dhe stabiliteti. Perspektiva evropiane për Kosovën, me anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës mbetet urgjente”, tha Ullrich në një postim në Tëitter.
Në fakt, nuk është hera e parë që Gjermania, shpreh hapur nervozizmin e saj ndaj sjellve etë Serbisë. Edhe më të drejtpërdrejta kanë qenë deklarimet e kancelarit Olaf Scholz dhe ministres së Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock.























