Hapen për qarkullim pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak
Visar Shatrolli/ RTK
(E plotësuar) Policia e Kosovës (PK), bazuar në autorizimet kushtetuese dhe ligjore në vazhdimësi ka bërë vlerësime mbi situatën e sigurisë në veri të vendit, e cila ishte përkeqësuar që nga data 10.12.2022 kur ishin vendosur barrikadat në rrugë, si pasojë e të cilave ishin mbyllur edhe dy pikë-kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak.
Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.
"Edhe përkundër rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës ishte angazhuar në të gjitha format që t’u dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallim, si dhe të mbajë rendin e sigurinë publike. Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasditesjanë hapur për qarkullim", njofton policia.
Zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.
"Liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe për këtë Policia e Kosovës në vazhdimësi do të angazhohet duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare", thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Pikëkalimi kufitar në Bërnjak vazhdon të jetë i mbyllur|Video
Ndonëse janë larguar të gjitha barrikadat e vendosura nga serbët në veri, pikëkalimi kufitar në Bërnjak vazhdon të jetë i mbyllur.
Gazetari i RTK-së, Visar Shatrolli, i cili e ka vizituar këtë pikë kufitare, raporton se kjo pikëkalimi kufitar vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim deri në njoftim zyrtar.
Largohet barrikada e fundit në fshatin Zupç të Zubin Potokut|Video
Sot është larguar barrikada e fundit në fshatin Zupc të Zubin Potokut që lidhë pikë kalimin kufitar në Bërnjak.
Për largimin e barrikadave dje ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Barrikadat po hiqen, të dielën e thamë që është çështje ditësh është kur do të largohen, edhe më mirë që kjo do të bëhet pa ndërhyrjen e Policisë sonë. Vet i vunë barrikadat, vet i hoqën ato, me fjalë të tjera janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten”, tha ai.























