Mehaj: 2022-ta vit i sukseseve të ushtrisë sonë, e ardhmja është në NATO
B. H. / RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka vlerësuar 2022-tën si vit suksesesh për ushtrinë e Kosovës.
Ai ka thënë se vitin 2022, Forca e Sigurisë e Kosovës po përmbyllë me 850 ushtarë dhe kadetë të rinj, me 84% më shumë investime në pajisje ushtarake, dhe me mbi 2500 ushtarë të trajnuar jashtë vendit.
“Ushtria e Republikës së Kosovës më nuk ka kufizim në numër për sa i përket ngritjes së kapaciteteve ushtarake, dhe të gjithë të rinjtë e të rejat ndërmjet moshës 18-25 vjeç mund t'i bashkohen Forcës që është në shërbim të atdheut. E ardhmja e ushtrisë sonë është në NATO, ngase në përputhje të plotë me misionin e kësaj aleance janë edhe qëllimet tona”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Tutje ministri i Mbrojtjes ka thënë se përkrah ushtrive të shteteve mike do të vazhdojnë rrugëtimin për konsolidim, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, në funksion të misionit kushtetues për garantimin e sigurisë, territorialitetit, mbrojtjes së qytetarëve dhe ruajtjes së stabilitetit të shtetit.
“Urime ushtarakë për çdo rezultat që keni treguar në garat dhe ushtrimet ndërkombëtare, për profesionalizmin mbresëlënës dhe për karakterin luftarak e human të pashoq. Ju jeni krenaria jonë më e madhe!”, ka nënvizuar Mehaj.























