Hovenier: Asociacioni duhet të themelohet, nuk ka alternativë
J.Musliu/RTKlive
Në takimin e fundit me gazetarë për vitin 2022, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është pyetur për disa çështje.
Mes tyre edhe në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Duke folur për këtë temë, ai ka deklaruar se themelimi i këtij Asociacioni nuk ka opsion dhe se kjo është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme.
Ai deklaroi se Kosova e ka marrë përsipër ta realizojë. “Mbetet një qëndrim i qartë politik i SHBA-së”, tha Hovenier.
“Është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme të cilën Kosova e ka marrë përsipër”.
Sipas tij, Asociacioni është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme që është konfirmuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Shtetet nuk mund të vendosin se çfarë marrëveshje ligjërisht të obligueshme e implementojnë apo s’e implementojnë. Ato janë marrëveshje ligjërisht të obligueshme”.
Ai deklaroi se Kosova është një shtet që ndjek zbatimin e ligjit.
“Pritja jonë është që Kosova e implementon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.
Hovenier deklaroi se SHBA-ja beson fuqishëm që është edhe në interesin e Kosovës që ta bëjë një gjë të tillë.
“Ky është një element i rëndësishëm kësaj përpjekjes së gjerë për të përshpejtuar normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
Ambasadori amerikan deklaroi se pa marrë parasysh Serbinë, kjo është një gjë shumë e rëndësishme për Kosovën.
“Serbët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës, banorë të Kosovës, ata gëzojnë të drejtat në Kosovë, ata duhet të marrin të drejtat dhe mbrojtjen nga shtetit sikur të gjithë qytetarët e Kosovës”.























