“Baresha” si kartë identiteti|Video
Kulturë

“Baresha” si kartë identiteti|Video

Julka Pejovic/ RTK2

Goran Vratnica nga Podgorica është interpretues i këngëve origjinale nga Ballkani. Ai e ka filluar këtë disa vite më parë, duke marrë pjesë në një program për promovimin e bashkëpunimit ndërkulturor dhe ndëretnik, të titulluar “Shëtitje muzikore në Ballkan”, në Belgjikë, ku edhe jeton. Ai interpreton këngë nga vendet e Ballkanit, dhe ajo që është veçanërisht interesante është se ai këndon edhe në gjuhën shqipe.

“Trashëgimia muzikore shqiptare është e pasur dhe interesante për mua si joshqipfolës. Nuk flas shqip, atë që kam mësuar e kam mësuar më së shumti përmes këngës. Kur më pyetën: 'Pse shqip'? Unë u përgjigja: 'Dhe pse anglisht, gjermanisht apo frëngjisht? Është e natyrshme që ne fillimisht të zbulojmë trashëgiminë muzikore dhe në përgjithësi kulturën e njerëzve me të cilët jetojmë. Është pritur mirë nga publiku shqipfolës, por edhe nga popujt e tjerë të rajonit”, thotë Vratinca, duke veçuar këngën shqipe kult  “Baresha”.

“Ishte një sfidë, jo vetëm gjuhësore, por edhe muzikore. Pasuria e ritmit, melodisë, ishte e guximshme të futeshe në atë histori, duke qenë se kënga u këndua nga e famshmja Nexhmije Pagarusha, Marija Kalas shqiptare. Ka ndodhur që portalet e kulturës shqiptare të postojnë foton dhe këngën time krah fotos së Nexhmija Pagarushës, për t'u mundësuar dëgjuesve të krahasojnë, të dëgjojnë se si është sjellë interpretimi im si nga ana muzikore, ashtu edhe nga ana gjuhësore, që është një nder i madh për mua, të më krahasojnë me Nexhmije Pagarushën .

Shumë nga miqtë e mi konsiderojnë se “Baresha” është karta ime e identitetit, ndoshta është e tepërt të thuhet, por të gjithë ata që më kanë dëgjuar thonë se jam origjinal dhe muzikant dhe kam treguar maksimumin”, ka thënë ai në një intervistë për RTK2, Redaksinë në gjuhën malazeze. Ai ka inçizuar pesë këngë në gjuhën shqipe, të cilat i ka kënduar në studion e RTK-së.

Goran Vratnica ka gati tridhjetë vjet që jeton dhe punon në Belgjikë. Ai u diplomua për Orientalistikë në Stamboll, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Belgjikë, ku jeton dhe punon. Me muzikë ka filluar më vonë, në fakt i është kthyer dashurisë së rinisë.


MË SHUME NGA Kulturë