Zv.Kryeministri Bislimi numëron të arriturat e Qeverisë për vitin 2022
BKT
Lajme

Zv.Kryeministri Bislimi numëron të arriturat e Qeverisë për vitin 2022

J.Musliu/RTKlive

 “Kosova ka shënuar të arritura të shumta gjatë vitit 2022”. Kështu deklaroi Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Megjithatë, ai rikujtoi se ka ende shumë punë për të bërë.

Me një postim në rrjetin social Facebook, Bislimi tha se i pret një vit plot përkushtim, angazhim e suksese të reja.

 “Kosova ka shënuar gjatë këtij viti rritje ekonomike, rritje të eksporteve, rritje të të hyrave doganore, rritje të të hyrave tatimore, rritje të investimeve të huaja direkte, rritje të rezervave shtetërore dhe rritje të punësimit”, deklaroi Zëvëndëskryeministri Bislimi.

Sipas tij, janë shpërndarë mbi 200 milionë euro vetëm përmes Pakove të Ringjalles Ekonomike dhe asaj të Përballjes me Inflacionin.

“Kemi shënuar progres në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian, ku janë miratuar në Qeveri e Parlament numri më i lartë ndonjëherë i ligjeve dhe projektligjeve në kuadër të agjendës evropiane dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”.

Bislimit ha se Kosova ka aplikuar këtë vit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e së fundmi në muajin dhjetor edhe ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE.

Ai u shpreh se pas vitesh të pritjeve të shumta, tashmë është ecur përpara në çështjen e liberalizimit të vizave, ku pas përfundimit të hapave të fundit të mbetur, qytetarët  do të mund të lëvizin pa viza, më së largu me 1 janar 2024.

“Arritjet e sukseset e Qeverisë, u vërtetuan edhe në Raportin për Vendin 2022, i cili ishte më i miri ndonjëherë për Kosovën”.

Në këtë bilanc në të bërë, ai tha se vendi u përball edhe me tentativat destabilizuese nga fqinji verior, të cilat Kosova, sipas tij, i përballoi me sukses e vendosmëri.


MË SHUME NGA Lajme